Yll që luajti vetëm 37 ndeshje në 3 vite, Roma i jep duart një prej dështimeve më të mëdha në merkato

Havier Pastore nuk është më një futbollist i Romës. Mesfushori argjentinas, dikur një nga talentet më të mëdhenj të futbollit në vendin e tij, tashmë është i lirë t’i bashkohet çdo ekipi tjetër, pasi ka ndërprerë kontratën e tij me klubin italian.

Të dy palët kanë gjetur akordin, pasi Pastore nuk bënte pjesë në planet e Murinjos dhe për më tepër, forma e tij sportive linte shumë për të dëshiruar edhe si pasojë e dëmtimeve të njëpasnjëshme.

“Argjentinasi mbërriti në kryeqytet në verën e vitit 2018 dhe ka koleksionuar 37 ndeshje dhe 4 gola me fanellën verdhekuqe. E gjithë Roma i uron Havier më të mirën për të ardhmen e tij”, shkruhej në komunikatën zyrtare të verdhekuqve.

Tashmë 32-vjeçar, Pastore mori famë një dekadë më parë në radhët e Palermos, para se të transferohej te PSG në verën e vitit 2011, ku qëndroi për 7 vite para se t’i bashkohej Romës.

PANORAMASPORT.AL