Xhesika Polo “klith” dhimbjen e humbjes të së ëmës: Jeta nuk është treguar e mëshirshme me mua

Xhesika Polo është pjesëmarrëse për herë të dhjetë në “Kënga Magjike”. Këtë vit, ajo konkurron me “Lotët e mi”, një këngë për të cilën, siç rrëfen në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, u përpoq të zgjidhte një titull popullor. Kënga është një “autobiografi në vargje” e artistes, në të cilën ajo ka hapur zemrën.

Xhesika Polo: Jam munduar që të jem patjetër, jo shumë konkrete që do të thotë…

Aldo: Mirë sigurisht, në art.

Xhesika Polo: Gjithsecili të gjejë veten e tij në njënga vargjet, që është shumë e thjeshtë për ta gjetur sepse është vuajtje njerëzore, është vuajtje që e kemi të gjithë, është vuajtje nga humbja e një personi të dashur, është vuajtje nga lëndimi i një marrëdhënieje toksike që ti fillon të harrosh veten, është vuajtje nga shoqëria që do të na kornizojë, janë probleme sociale që ne i hasim përditë në jetën tonë dhe i kemi të paevitueshme.

Xhesika shpjegon që strofat e këngës janë shkruar nga ajo, ndërsa refreni nga fituesi i edicionit të vjetshëm të festivalit, Alban Ramosaj. “Ka ardhur nga një vend i sinqertë”, shton këngëtarja ndërsa shpjegon edhe pritshmëritë e saj.

Xhesika Polo: Personalisht, le të themi që indicia kryesore ka qenë vetja ime. Kisha nevojë ta nxirrja të gjithë dhimbjen e akumuluar që kam pasur këto dy vitet e fundit, jeta nuk është treguar edhe aq e mëshirshme me mua duke nisur që nga humbja e mamasë time, probleme të tjera dhe isha shumë e mbushur. Mendoj që mënyra e vetme për të gjetur pak qetësi shpirtërore, qoftë edhe mendore ishte të nxirrja dhimbjen në mënyrën time më të bukur që është muzika dhe melodia.

Aldo: Le të themi që kjo është “klithma” e Xhesikës.

Xhesika Polo: Ekzakt. Është klithma ime. Është lirimi im./tvklan.al