Stërvitja e fundit/ Alarmon Hoxhallari, shikoni si do të luajë Tirana ndaj Dinamos

Tirana ka një dyshim të madh në prag të ndeshjes me Dinamon e Tbilisit. Në stërvitjen e fundit në stadiumin “Boris Paichadze Erovnuli”, ka shqetësuar gjendja e mbrojtësit të majtë, Erion Hoxhallari. Ai vjen pas një tërheqjeje muskulore që në ditët e grumbullimit të ekipit në Pogradec. Dje ka ndierë shqetësime, por stafi mjekësor po punon intensivisht për ta rikuperuar në kohë.

Gjithsesi, aktivizimi i tij është në dyshim dhe trajneri Emanuel Egbo i ka marrë të gjitha masat. Nga ajo që u pa në stërvitjen e fundit, Ilion Lika do të jetë mes shtyllave, ndërsa në mbrojtje Toli fitoi balotazhin me Toshevskin për krahun e djathtë.

Në qendër të mbrojtjes i sigurt është Vangjeli, ndërsa në krah të tij Najdovski që pritet të debutojë, duket më i avantazhuar se Muça për një vend titullari. Gjërat mund të bëhen të komplikuara nëse Hoxhallari nuk ia del. Alternativë është Ismajlgeci, por ka edhe një plan “B”, duke spostuar aty Vangjelin dhe aktivizuar Muçën në qendër me Najdovskin. Pjesa tjetër e ekipit nuk ka asnjë dilemë, pasi me skemën 4-2-3-1, Batha e Çelhaka konfirmohen para mbrojtjes, ndërsa treshja Kobinah, Torasa dhe Kale do të jetë në shërbim të Muçit në majë.

Egbo i ka besuar Muçit rolin e qendërsulmuesit, duke parë edhe formën e mirë të tij. Dje ekipi provoi goditjet e dënimit, ndërsa u ndal më pas edhe te penalltitë. Një nga më aktivët ishte Vangjeli, i cili u bë shtysë edhe për lojtarët e tjerë, pasi nuk neglizhonte as në momentin e kuadratit. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe pritshmëritë janë të mëdha.

SHIRITI – Mesfushori Idriz Batha do të jetë kapiteni i ri i bardhebluve. Mësohet se ai është graduar në këtë detyrë me bekimin e vetë presidentit Refik Halili. Në sezonin e fundit kapiten i parë ishte Erando Karabeci dhe pas largimit të tij mendohej se shiritin do ta merrte zv.kapiteni Gentjan Muça. Megjithatë, çdo gjë do të konfirmohet sot, pasi edhe mbrojtësi nuk ka garanci nëse do të jetë titullar, paçka se dje doli para mediave në krah të trajnerit Egbo.

PANORAMASPORT.AL