Shkëlqimi dhe rënia e Marina Vjollcës, Inva Mula i zë vendin me tjetër program

Detyra e Marina Vjollcës në “Tv Klan” mesa duket kaq ishte. Siç shihet ish-partnerja e Edi Manushit në programin “Procesi Sportiv” prej dhjetë vitesh në “Top Channel”, ka dështuar me lëvizjen në “Tv Klan”. “C’est la vie” ishte spektakli muzikor me VIP-a që iu besua Marinës, nga vëllezërit Pandi e Bledi Laço, mision në të cilin prezantueja ka dështuar. Mesa duket lançimi nga “Tv Klan”, “i vajzës së ëmbël” të televizionit rezultoi një flluskë sapuni, përderisa drejtuesit e këtij televizioni i mbyllën spektaklin, vetëm pas një sezoni të drejtuar nga bashkëshortja e reperit, Getoar Selimi. Dhe nuk ka vonuar shumë dhe është zbuluar formati i ri, dhe emri surprise i prezantueses, që do i zërë vendin të dielave. Programi që do të zëvendësojë “C’est la vie” në “Tv Klan”, është një konkurs i muzikës klasike “Virtuozët”, që do të moderohet nga sporanoja me famë botërore, Inva Mula. Spektakli i ri do të nisë pas një muaji, pikërisht më 11 shkurt, pjesë e të cilit do të jenë të gjithë fëmijët dhe adoleshentët e talentuar në muzikën klasike. Siç shkruan “Tv Klan”, programi, i pari në llojin e tij në ekranet shqiptare, do të zgjasë plot 10 javë. Protagonistë të këtij formati janë të gjithë fëmijët dhe të rinjtë nën moshën 18-vjeçare, që kanë talent në kanto, balet dhe instrumentistë të zhanrit klasik. Pjesëmarrës në këtë talent shoë do të jenë të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Konkurrentët shoqërohen nga orkestra filarmonike “Ibrahim Madhi” e Akademisë së Arteve nën drejtimin e maestrove Suzana Turku dhe Gerard Akoka. Nuk dihet se cili do të jetë angazhimi i ri i Marina Vjollcës.