Rasti tragjik i 22-vjeçares në Iran: Dhunohet barbarisht nga policia vetëm se nuk veshi hixhabin

Një 22-vjeçare iraniane ka ndërruar jetë në spital pasi është ndaluar nga policia nën pretendimin se nuk respektoi rregullat e vendit për vendosjen e hixhabit (mbulesës së kokës që duhet të mbajnë gratë islamike).

Mahsa Amini po udhëtonte bashkë me familjen e saj nga provinca perëndimore e Iranit, Kurdistan drejt kryeqytetit Tehran, për të vizituar familjarët e saj atje. Gjatë kësaj kohe, u arrestua thjesht sepse nuk kishte zbatuar rregullin strikt të vendit: kodin e veshjes së grave.

Dëshmitarët kanë raportuar se vajza është dhunuar barbarisht në furgonin e policisë, por këta të fundit e mohojnë një pretendim të tillë.

Lajmi vjen disa javë pasi presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, urdhëroi një goditje ndaj të drejtave të grave dhe bëri thirrje për zbatim më të rreptë të kodit të detyrueshëm të veshjes tipike të vendit, e cila kërkon që gratë të mbajnë shami për të mbuluar pjesën e kokës, që nga revolucioni islamik i 1979.

Familja e Aminit u njoftua se ajo ishte dërguar në spital disa orë pas arrestimit. Sipas Hrana- një organizatë që mbron të drejtat e njeriut, dëshmon se familjes së vajzës i është thënë gjatë arrestit se ajo do të lirohej pas një “seance ri-edukimi”.

Mahsa Amini hyri në koma pak para se të ndërronte jetë, ndërkohë që policia tha se vajza pësoi një atak kardiak. Ndërkohë, familja e saj mohon diçka të tillë, duke treguar se ajo ishte plotësisht e shëndetshme dhe nuk ka patur kurrë probleme të tilla.

Nëpër rrjete sociale, qarkullojnë fotografi të të ndjerës, e shtrirë në shtratin e spitalit në gjendje kome dhe me fasho rreth kokës.

Vdekja e saj ngjalli reagime të shumta nga personazhë të famshmën dhe politikanë në lidhje me vendimet dhe rregulla të tilla ekstremiste që çuan në një tragjedi si kjo. Mahmoud Sadeghi, një politikan reformist dhe ish-deputet, i bëri thirrje liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei, të flasë hapur për rastin e Amini.

“Çfarë thotë lideri suprem, i cili me të drejtë denoncoi policinë amerikane për vdekjen e George Floyd, për trajtimin e policisë iraniane ndaj Mahsa Aminit?”-shkruan ai përmes një statusi në Tëitter.

Në 15 gusht, Raisi urdhëroi vendosjen e dënimeve më të ashpra për gratë që nuk respektojnë kodin e veshjes dhe shfaqen pa hixhabë, si në publik ashtu dhe online. Kohët e fundit, gratë atje janë arrestuar vazhdimisht, madje, njëra prej tyre, Sepideh Rashno (shkrimtare dhe artiste) është torturuar dhe dhunuar nga policia derisa u detyrua të kërkonte falje publikisht në ekran.

Burimi: The Guardian
Anabelmagazine