“Rashë nga motori me shokun e ngushtë”/ Big Mama rrëfen mes lotësh tragjedinë e rëndë: Unë u ktheva në jetë por ai…

Këngëtarja e njohur nga Tetova, Big Mama, ka qenë e ftuar në emisionin “S’e Luan Topi”, ku ka bërë një rrëfim për jetën e saj personale.

Artistja tregoi për dy tragjedi që i kanë ndodhur, ku në një prej të cilave desh humbi edhe vetë jetën.

Një pjesë nga biseda:

Big Mama: Gjithçka që kam arritur në jetë i jam falënderuese babit tim. Unë vij nga Tetova, një qytet i vogël dhe fanatik e kanë quajtur më herët sepse tani kanë ndryshuar kohërat, por që të vijë një vajzë me shpirt rebel kështu si jam unë nga Tetova duhet të kesh për prind një burrë tamam si babi im, që më ka mbështetur, nuk ka dëgjuar fjalët e botës. Prandaj kam dalë e suksesshme prej babit im.

Erjona: Je bërë më e fortë apo më e dobët pas vdekjes së tij?

Big Mama: Jam bërë më e fortë. Jeta të bënë më të fortë. Edhe pse të gjithë e dinë natyrën time, që jam gjithmonë e buzëqeshur, me humor, shpërthyese. Sa herë që më shohin njerëzit ma bëjnë gjithmonë këtë pyetjen, “ku e merr këtë energjinë dhe si arrin gjithmonë të jesh pozitive?”. Mua nuk më kanë ndodhur shumë gjëra pozitive në jetë Erjonë, madje mund të them me plotë gojën që kam pasur shumë tragjedira. Kam hequr shumë në jetë, kam pasur një rrugëtim shumë të vështirë, por këto më kanë bërë më të fortë.

Erjona: Pse tragjedira?

Big Mama: Po mund ta fillojmë të themi se që në moshën 17-18 vjeçare kam humbur shokun e parë të ngushtë të jetës. Ndërroi jetë shoku i parë dhe për një vajzë 17-18 vjeçare është diçka e rëndë për t’u përjetuar. Më pas, në Strugë po prapë humba një tjetër shok të ngushtë. Aty u mbyta dhe unë, por u ktheva në jetë për së dyti. Ka ndodhur një incident para shumë vitesh. Ishim në liqenin e Ohrit me një motor uji, ndodhi një problem, ramë nga motori, të dy e humbëm vetëdijen. Se si na kanë nxjerrë, se si kemi shpëtuar nuk e di. Vetëm kur hapa sytë në spital. Mjekët na kthyen shpirtin dhe zemrën, por atij nuk i funksiononte më truri. Unë e kam pasur të shkruar të jem gjallë, ai ndërroi jetë.

Ora News