Publikohet videoklipi i këngës me të cilën Anxhela Peristeri do përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovizion”

Anxhela Peristeri arriti të triumfonte në Festivalin e RTSh-së dhjetorin e 2020, me këngën “Karma”, e cila do të përfaqësojë shtetin shqiptar në Festivalin Evropian. Teksti i këngës është shkruar nga Olti Curri dhe është kompozuar nga Kledi Bahiti.

Ndërkohë, këngëtarja ka publikuar sot videoklipin e kësaj kënge që po pëlqehet shumë. Anxhela ka bërë disa ndryshime nga versioni i parë i këngës me të cilën u prezantua në “Festivalin e Këngës”. Versioni final duket akoma më i fuqishëm dhe është pëlqyer shumë nga fansat e festivalit, ndërsa këngëtarja ka vendosur që këngën ta mbajë në gjuhën shqipe.

Pak ditë më parë në faqen zyrtare të Instagram-it të Eurovizion, i cili këtë vit do të zhvillohet në Hollandë pas “anullimit historik” që ndodhi vjet për shkak të pandemisë, janë duke u prezantuar artistët e të gjitha shteteve pjesëmarrëse dhe këngët e tyre. Për Anxhelën ata kanë zgjedhur të publikojnë disa foto, ku këngëtarja shfaqet me kostum tradicional shqiptar dhe sigurisht duket më e bukur se kurrë.

Bashkangjitur me fotot e realizuara nga Norik Uka, faqja zyrtare e Eurovizionit shkruan: “Hidhini një sy fotove të Anxhela Peristerit, e cila i bën homazh të gjithë shqiptarëve nëpër botë”.

Pritet që ditët e ardhshme të mësohen më shumë detaje nga netët që do të mbahet Eurovizioni, radhën e performancave, si artistët do të paraqiten dhe si do të organizohet eventi, me apo pa publik.