Postimet në rrjetet sociale: Si të veproni kur ndiheni ‘të injoruar’

Kur postojmë diçka në rrjete sociale, s’e dimë kurrë ç’vjen më pas. Ka shanse që të marrim pëlqime pafund, ndjekës, komente, shpërndarje, mesazhe apo dhe njerëz të rinj që kërkojnë shoqërinë tonë. Kjo vjen me një rritje të ndjeshme të vetëbesimit, sidomos fiks pak pas postimit.

Nga ana tjetër, ka gjithashtu shanse që postimi ynë “të refuzohet”. Ndihemi të injoruar kur ai/ajo që prisnim nuk reagoi, apo thjesht numri i pëlqimeve ishte shumë më i pakët nga sa prisnim. Rrjetet sociale jo pak herë ndikojnë në vetëbesimin, nevojat tona personale dhe rrjedhimisht në humorin tonë. Çfarë mund të bëjmë kur ndihemi keq si pasojë e tyre?

1. Mos i nënvlerëso ndjesitë e tua

Sido të jenë ato, pranoji dhe mos u përpiq t’i injorosh. Rezistoji impulsit dhe prano që çdo ndjesi që ke është e pritshme dhe e kuptueshme. Kur i shtyjmë ndjesitë tonë si për të shpëtuar prej tyre, ndodh të ndihemi mirë vetëm për një moment, pastaj jo më. Më vonë i japim atyre mundësinë të bëhen edhe më të forta dhe të zgjasin më shumë në kohë. Lejojeni veten të ndjeni çfarë ndjeni për të shpëtuar më shpejt. Nëse jeni të zhgënjyer, ndjejeni zhgënjimin tuaj, nëse ndiheni në siklet, shijojeni ndjesinë e të qënit në siklet. Dhimbja do të zbehet me kohën dhe nuk do t’ju duhet të prisni gjatë për këtë.

2. Pyesni veten “pse e bëra këtë”

Të gjithë kanë arsyen e tyre pse përdorin rrjete sociale, por a e keni pyetur ndonjëherë veten pse ndodheni në platformën tuaj të preferuar? Kur postoni, e dini pse e bëni? Sigurisht mund të jetë për kënaqësinë e “like-ve”, për të ndërvepruar me të tjerët ose thjesht për të ndarë një moment specifik.

Duke ditur mirë qëllimin tuaj, shanset që të zhgënjeheni janë të pakta.

3. Nëse doni të jeni pjesë e rrjeteve sociale, kthehuni atje kur të ndiheni gati

Merrni kohën që ju duhet për t’u kthyer në botën virtuale. E mira është ta inkurajoni veten për t’u përballur me frikërat dhe sfidat që mund të ndjeni sesa t’i shmangni ato. Pasi të jeni kthyer, bëni një plan të asaj çfarë do të bëni menjëherë pasi të keni postuar. Do fiksoheni duke rifreskuar faqen për të parë ç’bëhet me postimin, apo do të shpërqëndroni veten duke u marrë me punë të tjerë. Një këshillë: Hiqni opsionin e njoftimeve për të mos qenë gjithë kohës me sytë nga telefoni.

4. Nuk ka asnjë arsye për të qënë aktivë, nëse s’doni të jeni

Rrjetet sociale nuk janë për këdo dhe kjo është Ok. Pyesni veten nës epo ju ndihmon apo po ju bën më shumë dëm të qënit pjesë e saj. Platformat kanë nevoj për një nivel të caktuar përfshirje, por jo gjithmonë jemi në humorin e duhur. Mos harroni që jeni ju ata që vendosni ta mbani apo ta injoroni presionin që vjen prej rrjeteve sociale.

Shumë prej nesh marrin gjithçka personale në rrjete sociale, por e vërteta s’është kështu. Ndodh që teknologjia na bën të ndihemi më të ftohtë me njëri-tjetrin, kur në jetën reale ndodh ndryshe.

“Fama” në rrjete sociale nuk reflekton vlerat e tua të vërteta.

Burimi: Psychology Today

Anabelmagazine