Përlotet ish-truproja i Fatos Nanos: Unë do të mbetem gjithmonë Tori i Nanos, ai ka vuajtur gjithmonë nga kjo sëmundje

Truproja e ish- kryeministrit, Fatos Nano, ka rrëfyer si ishte të punoje me ish liderin e socialistëve.

I ftuar në Vizionin e Pasdites, truproja që njihet si Tori i Nanos thekson se u ofruar vullnetarisht për të mbrojtur ish kryesocialistin e më pas ky i fundit e përzgjodhi.

Gjendja shëndetësore e Nanos ka bërë që ai të përlotet në studio, ndërsa tregon se fillimisht nuk e besonte se ai ishte shtruar në spital.

“Ka pas vuajtur nga frymëmarrja. Nuk para i besoja, por pastaj pyeta miqtë, kolegët, persona që i rrinë afër dhe ishte e vërtetë.

Me thënë të drejtën u prek shumë. Arsyeja pse u preka, sepse për ato vite sa punova afër atij kam shkuar vetë vullnetarisht, pastaj më zgjodhi, në thonjëza kam braktisur familjen, prindërit.

Unë kam fituar vetëm një gjë nga ajo punë, emrin e madh Tori i Nanos, asgjë tjetër”, tha ai.

Ish truproja i themeluesit të Partisë Socialiste, rrëfu sfidat e përjetuara në vitet e vështira të tranzicionit.

Ai tregoi se në fundvitin e 1999-ës, banesës së fqinjit të tij i është vënë tritol.

Nga shpërthimi dëme pësoi dhe banesa e tij, ndërsa në të ndodheshin dhe vajzat e tij të vogla.

“Mos gaboj nga tetori i vitit ’99, në banesën tonë, te dera e komshiut tonë kishin vënë tritol, por nuk u zbuluar kurrë.

Tritoli, vajzat e vogla, unë një dhomë e kuzhinë kisha. Flinim dy në divan, një në divan të përmbysur, dyer të shpartalluara, një tmerr i vërtetë, mua që më thoshte bashkëshortja, rahmetë pastë, ra tërmet.

Nuk është tërmet i thashë, është tritol. Dera ime me derën e komshisë ishte korridor i gjatë, nuk kishte mbetur asgjë”, tha ai.