Olta Gixhari shprehet për realizimin e filmit “Në Kuadër të Dashurisë”: Çfarë ka Hollywood-i më shumë se kaq?!

Mbrëmjen e djeshme u mbajt premiera e madhe e “Në Kuadër të Dashurisë”. Ky film aq i shumëpritur nga publiku dhe aq i komentuar përgjatë muajve të fundit u shfaq për herë të parë në Pallatin e Kongreseve. “Në Kuadër të Dashurisë” përmban një kast të mahnitshëm aktorësh dhe personazhesh shumë të dashur për audiencën e gjerë.

Në një intervistë ekskluzive ishte aktorja protagoniste, Olta Gixhari, e cila vjen në rolin e Jonidës. Jonida është gruaja e Besit, personazh i luajtur nga Luiz Ejlli. Edhe pse ky film po tregon një sukses mjaft të madh për kinematografinë shqiptare, Olta Gixhari numëron me qindra role në teatër e në filma. Çfarë domethënë ky film për të?

E para, ka nisur një etapë e re për Top Channel dhe për ne si aktorë. Ky tapet i kuq sot, ky organizim kaq i madh, ky marketing kaq gjigand, tregon shumë dhe realisht ka hapur dyer të reja për të gjithë ne. I ka rritur pritshmëritë. Unë uroj shumë që ne të jemi në lartësinë e këtij marketingu. Uroj shumë që filmi të pëlqehet, ne të pëlqehemi dhe e gjitha kjo që po ndodh sot është madhështore. Domethënë, çfarë ka Hollywood-i më shumë se kaq?!

Cili ishte momenti më i bukur për aktoren gjatë realizimit të këtij filmi?

Për mua, sheshxhirmi është magjik dhe të gjitha momentet janë të pazëvendësuseshëm, sepse është një moment që ndodh aty e xhirohet, dhe ti e ke kujtim për të gjithë jetën tënde. Çdo frymë, çdo fjalë që lëshohet në sheshxhirim është absolutisht shumë e rëndësishme. Aq e rëndësishme është dita sot që do të ballafaqohemi me publikun tonë dhe uroj shumë që të na pëlqeni.

Top Channel