Ofendoi rëndë futbollistin shqiptar, sulmuesi me origjinë serbe dënohet nga UEFA

Futbollisti i Austrisë me origjinë serbe Marko Arnautoviç është dënuar nga UEFA me 1 ndeshje pezullim për shkak të ofendimeve me bazë raciste ndaj futbollistëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Sulmuesi shënoi golin e 3-të në fitoren 3-1 ndaj Maqedonisë pak ditë më parë. Gjatë festës për golin e shënuar, ai shau nga nëna futbollistin shqiptar Ezgjan Alioski dhe jo vetëm. Maqedonia e Veriut kërkoi nga UEFA që të dënonte lojtarin për veprimin dhe menjëherë u hap një hetim, që pasoi me pezullimin me një ndeshje nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës.

“Unë do të doja të them një gjë shumë qartë: Unë nuk jam racist. Nëse dikush është ofenduar, kërkoj falje” tha Arnautoviç pas ndeshjes, por kjo nuk e shpëtoi ndaj dënimit të UEFA-s.

Arnautoviç humbet kështu sfidën e dytë, atë ndaj Holandës nesër. Pamjet treguan se shoku i tij i ekipit David Alaba po përpiqej ta ndalonte të fliste, teksa lojtarët austriakë festojnë golin. /News31