Në videon e Raidenit duke ‘shkatërruar’ pemën e Krishtlindjes, Jona dha shpresë për të gjithë prindërit e rinj se nuk janë vetëm

Pyetja 1 milion dollarëshe për prindërit e rinj: “Akoma gjallë pema?” Kur të vegjëlit bëhen protagonistët e shtëpisë, vështirë të shijosh pamjen klasike, të rregullt, plot zbukurime e drita të bredhit të Vitit të Ri. Arsyeja është e thjeshtë: fëmijët do të bëjnë të pamundurën të ‘eksplorojnë’ çdo dekor të mundshëm që ti, me aq dashuri dhe përtaci ke vënë në pemë.

Natyrisht, është një sfidë që zgjat pak a shumë dy vjet (për fatlumët edhe më pak), për të kaluar në një tjetër fazë; atë të të bërtiturit fort në vesh një mëngjes të diele, kur i vogli ose e vogla, aq më keq të dy bashkë, të kërkojnë të zgjohesh për të bërë pemën. Gjithsesi, Jona Spahiu është ende në fillimet e ‘telasheve’ të fundvitit me Raidenin. Sa gëzohemi kur hedhin hapat e parë, aq dhe pendohemi që nuk kemi projektuar një plan të përpiktë për rrethimin e çdo zone që do t’i shkonte përshtat emërtimi: ‘MOS ATY!’ Ose, siç dëgjohet vetë Jona duke thënë gjatë videos së publikuar: ‘XIX!’

Raiden duket se nuk ka ndërmend të ndalet së kthyeri pemën në gjendje fillestare, pa drita e dekor, e ndoshta pse jo, edhe pa disa degë të poshtme. “Brenda 3 ditësh kjo pemë është bërë dhe është prishur 3 herë”, ka shkruar Jona, ndërsa vogëlushi ka gjetur argëtimin ideal gjatë kësaj periudhe. Me siguri, shumë nga prindërit e rinj e gjejnë veten në videon e Jonës, ndërsa ne ju drejtojmë pyetjen klasike: