“Mesjetare, nderim për Genghis Khan”/ Mediat italiane nuk kursejnë Ronela Hajatin: Folklor ballkanik, zë i papërqëndruar

Mediat italiane kanë shkruar ditën e sotme për performancën e Ronela Hajatit në Eurosong. Duket se fqinjët tanë nuk i kanë kursyer ironitë për look-un që këngëtarja kishte zgjedhur.

Madje në një vlerësim me nota, ata i kanë dhënë 4 artistes sonë për zgjedhjen e bërë. Duke vlerësuar energjinë që i solli mbrëmjes, mediat nuk i kanë kursyer batutat për Ronela Hajatin. “Reggaeton dhe folklori ballkanik: Dikush të na japi antidotin menjëherë… Nëse nuk mjafton ajo që keni parë live, shkoni gjejeni videon në YouTube:

Një fantazi mesjetare si ‘Game of Thrones’ për të treguar një histori dashurie të fshehta, tradhti, seks dhe gjak. Zëri i fuqishëm, por jo gjithmonë i përqendruar! Ronela vendosi dorën në zonën intime gjatë performancës, që Eurovizioni e kishte censuruar në rrjetet sociale (por a i njohin Michael Jackson dhe Madonna?). Gjithsesi artistja e realizoi performancën e saj”, shkruanin mediat italiane, duke pasur ‘ankesa’ edhe për zërin e artistes shqiptar. Nga ana tjetër edhe “Corriere della Sera” nuk është treguar shumë dashamirëse me përfaqësuesen tonë në Eurosong.

“Nderim për luftëtarët e Genghis Khan-it, ndoshta kjo ka qenë pamja e shqiptares Ronela Hajati, me bishtin. Busti me efekt trapez me një dekolte dhe këmbë mjaft provokuese, si koreografia që shoqëroi performancën. Me siguri fillimi i mbrëmjes plot energji, ndoshta nëse do të kishte shpenzuar pak më shumë në zgjedhjen e look-ut do të kishte qenë një investim i mirë”, thuhej në shkrim.