Merr fund dashuria disavjeçare e modeles shqiptare dhe aktorit indian! “Kabir” i “Sarasvatiçandra” fejohet me producenten e njohur

Dashuria disavjeçare mes aktorit indian Ashish Kapoor dhe modeles shqiptare, Ilda Kroni, ka marrë fund.

Aktori i njohur për publikun shqiptar me rolin si “Kabir” në serialin “Sarasvatiçandra” ka nisur një romancë të re me producenten Pearl Grey e madje dyshja është fejuar, sipas “Times of India”.

Mësohet se çifti ka shkëmbyer unazat më 12 korrik. Ata kishin zbuluar gjatë kohëve të fundit disa detaje që tregonin se janë bashkë, përfshirë publikimin e fotove në rrjete sociale, por pa e zbuluar identitetin.

Ata gjithashtu bënë tatuazh datën e fejesës së tyre (12.4.2021) tek shpatulla. Për më tepër,a ta kanë bërë tatuazh edhe emrat e njëri-tjetrit tek kyçi i dorës.

Sipas një burimi pranë çiftit: “Pearl dhe Ashish filluan të takoheshin disa kohë më parë dhe kanë qenë gjithmonë bashkë që atëherë. Ata e kuptojnë mirë njëri -tjetrin dhe janë shumë të mirëkuptueshëm. Të dy kanë një qasje mjaft të pjekur ndaj marrëdhënies dhe jetës së tyre. Janë të mbyllur për fejesën e tyre tani për tani dhe planifikojnë të zbulojnë detaje më vonë.

Pearl ka qenë e martuar më parë me producentin Rajan Shahi, dhe kanë një vajzë bashkë.

Tre vite më parë, Ashish dhe Ilda dukeshin shumë të dashuruar dhe dhanë edhe intervista për mediat shqiptare.

Në atë kohë, Ilda tha: “Ne jemi njohur në një event, rastësisht. Unë nuk e njihja Ashishin pasi nuk shoh telenovela. Ne ishim të ftuar të dy në event dhe Ashish filloi të më ‘gjuajë’ dhe të hidhte kunja. Aty filluam të flasim, më pas në “Instagram” dhe më pas filluam të takoheshim pak nga pak”.

Ndërsa Ashish shtoi: “Gjëja e parë që më tërhoqi tek Ilda ka qenë buzëqeshja. Përmes buzëqeshjes mund të shohësh shpirtin e saj dhe mund të them se është shpirt i bukur. Por nëse më parë shihja buzëqeshjen, sytë, etj, tashmë gjërat kanë ndryshuar, e njoh më mirë dhe shikoj se si i trajton njerëzit me dashuri”.