“Meritonim më shumë”. Shehi ‘harron’ pritjet e Bekajt dhe sheh nga kualifikimi: “Vazhdon të jetë e hapur”

“Kemi bërë një ndeshje të mirë dhe ndoshta meritonim më shumë. Kur e nis lojën me gol bëhet e vështirë dhe të vjen keq që marrim gol shumë të evitueshëm. E dinim që kundërshtari rivënien e ka të gjatë, ndaj ndryshuam qendërmbrojtësin, gabuam, pësuam dhe skuadra pastaj reagoi”.

Një shpjegim ai i Orges Shehit që nuk frymëzon asnjë nga tifozët e Tiranës që kanë parë në fushë një skuadër të dominuar nga Zrinjski Mostar, që fitoi 0-1, por mund të kishte dalë nga Arena Kombëtare me shumë më tepër gola të shënuar. Tekniku bardheblu, sic duket, i ka harruar pritjet e Bekajt që e mbajtën në lojë skuadrën kryeqytetase edhe për ndeshjen e kthimit dhe merret me mungesën e finalizimit të të tijve, që nuk është patën ndonjë rast flagrant para portës.

“Sigurisht që na mungon pak organizimi nga poshtë, se luajmë me dy qendërmbrojtës me të djathtën – tha Shehi -. Mundoheshim që të ulej poshtë Aleksi, por në metrat e fundit nuk ishte finalizimi si duhet, binim shumë shpejt në presion dhe na bllokonin Najdovskin për të dalë para”.

Në fund, një gol edhe mund të jetë i rikuperueshëm, por performanca e Tiranës është ajo që i bën të gjithë skeptikë, përvec Shehit:

“Skuadra nuk është se u shpreh keq në fushë, përveç disa gjërave të vogla. U mërzita te rasti i fundit se në fund nuk mund të luash me qarkullim topi, por të kërkonin Devid. U rrezikuam për të pësuar golin e dytë. Mendoj se ndeshja vazhdon të jetë e hapur, besimi është prezent se është me vajtje-ardhje”, përfundoi tekniku.