Lil Nas nxjerr në shitje atletet me gjak njeriu

Reperi Lil Nas X do të nxjerrë në shitje atletet e quajtura “Satan Shoes”, në të cilat duket një pentagram prej bronzi, një kryq i përmbysyr dhe gjak i vërtetë njeriu.

Atletet janë pjesë e bashkëpunimit të Lil Nas X dhe kolektivit artistik me bazë në New York, MSCHF. Për krijimin e modeleve u përdorën Nike Air Max 97, por Nike është distancuar nga dizajni.

Në një deklaratë me email për CNN, Nike tha se nuk ishte përfshirë në krijimin e atleteve të modifikuara. “Ne nuk kemi lidhje me Lil Nas ose MSCHF. Nike nuk i ka dizenjuar ose publikuar atletet dhe ne nuk i mbështesim ato.”

Modelet do të jenë limited-edition në vetëm 666 palë (numri i djallit). Çdo atlete përmban 60 centimetra kub bojë të kuqe dhe një pikë gjak njeriu, sipas MSCHF. Çmimi i tyre është 1,018 dollarë, një referencë për fragmentin biblik Luka 10:18 që thotë: “Unë pashë Satanain të binte si rrufe nga qielli”.

Një zëdhënës i MSCHF tha për CNN se gjaku ishte siguruar nga anëtarët e kolektivit të artit, duke shtuar: “Ne duam të sakrifikojmë për artin tonë.”

Pas kritikave të ashpra në internet, sidomos nga figurat e larta fetare, reperi publikoi një video në YouTube me titull “Lil Nas X kërkon falje për Satan Shoes”, por në fakt nuk është ashtu siç duket. Pas disa sekondash, në video shfaqet një pjesë nga kënga e tij e re, “Montero (Call Me By Your Name)”, ku reperi kërcen në mënyrë provokuese pranë një personazhi të veshur si djall. Në fund, ai i këput qafën dhe vendos brirët e tij në kokë.