La karrierën në “Bloomberg” dhe bashkëshortin, rrëfehet ish-reporterja: Si rashë në dashuri me shqiptarin më të urryer në SHBA

Christie Smythe, ish-reportere e Boomberg News ka rrëfyer historinë e dashurisë me Martin Shkrelin, biznesmenin me origjinë shqiptare që “pushtoi” mediat amerikane dhe u dënua me 7 vite burg për mashtrim.

“Çfarë mund të ketë ndodhur që racionalja Smythe ta kthente jetën e saj përmbys?” – pyet gazetarja Stephanie në fillim të shkrimit. “Ajo ra në dashuri me një të pandehur çështjen e të cilit jo vetëm që e mbuloi, por dha lajmin e arrestimit të tij”, thotë ajo në artikullin e publikuar në “Elle”.

Christie Smythe mbulonte çështjen e Shkrelit në median ku punonte, Bloomberg News, por e papritur ndodhi dhe ajo ra në dashuri me “shqiptarin më të urryer në SHBA” Martin Shkreli. Duket se ky moment do të përcaktonte shumë në jetën e saj, pasi më vonë reporterja do të divorcohej nga bashkëshorti dhe do të hiqte dorë nga karriera si gazetare dhe jeta e saj e rehatshme.

Në rrëfimin e saj, Christie Smythe tregon: “Fillova të ndjej për të. Mendoj, pasi ra në burg”, duke iu referuar kohës kur Shkreli përfundoi në qeli në shtator të 2017-ës. “Përfundimisht u ndjeva e kompromentuar emocionalisht, por nuk dija mirë çfarë të bëja”, thotë ndër të tjera ajo.

Gazetarja Smythe u largua nga Bloomberg News në 2018 dhe u divorcua nga burri i saj vitin e ardhshëm. Gazetarja rrëfeu se si i dha puthjen e parë Martin Shkrelit në dhomën e vizitave në burg. “I thashë Martinit se e doja. Dhe ai më tha se më donte”, thotë ajo në intervistë.

Ata nuk mund të shkonin më shumë se sa puthjet, përqafimet dhe përkëdheljet pasi rregullat e burgut ua pamundësonin që të kalonin një natë së bashku. Megjithatë marrëdhënia nuk u shua, por vazhdoi përmes telefonatave dhe email-eve.

“Ka qenë një udhëtim i gjatë emocional për mua. Që nga koha kur shkova për të parën herë në sallën e gjyqit si gazetare që mbulonte çështjen e Martin Shkrelit në 2015-ën e deri tani”, rrëfen ajo.

Pas pandemisë Christie Smythe kërkoi në gjykatë lirimin me kusht të Shkrelit. Por gjithçka mes tyre u ndal, pasi Martin Shkreli vendosi t’i ndërpresë komunikimet nga burgu pasi u vu në dijeni të artikullit të saj, ku ajo zbulonte detaje nga jeta e tyre private.

“Z. Shkreli i uron zonjës Smythe fat më të mirë në përpjekjet e saj të ardhshme”. Elle raporton se Christie iu përgjigj komentit të Shkrelit duke thënë, “Është e këndshme, jo fort bindëse”.

Që në fillimet e raportit mes tyre, avokati i Shkrelit Benjamin Brafman e kishte paralajmëruar klientin e tij se marrëdhënia mes tij dhe reporteres po e tejkalonte atë profesionale. “Unë u përpoqa ta paralajmëroj Martinin”, u shpreh avokati duke shtuar se: “Ai siç e kishte zakon-mu përgjigj- Faleminderit! Do t’i marr në konsideratë këshillat e tua”.

Në një postim të ndjerë në mediat sociale, ish-reporterja Christie Smythe shprehet: “E kuptoj që është e vështirë për shumë njerëz të pranojnë që Martini nuk është psikopat dhe një grua mund të zgjedhë të bëjë çfarë të dojë me jetën e saj dhe që ju nuk e aprovoni”.

Në Shtator 2015, Shkreli i cili në atë kohë ishte 32 vjeç dhe shefi ekzekutiv i “Turing Farmaceutikë” rriti brenda ditës çmimin e ilaçit Daraprim nga 13.50 dollarë në 750 dollarë një tabletë.

Ai u akuzua për ngritje çmimesh, duke ngjallur një stuhi ankesash nga komuniteti mjekësor në SHBA, si dhe kandidatët për president Klinton. Më 17 dhjetor 2015 ai u arrestua dhe u akuzua për mashtrim dhe komplot të letrave me vlerë për gënjeshtra ndaj investitorëve dhe keqmenaxhim të të ardhurave.