Inteligjenca artificiale mund të shkaktojë katastrofë të “nivelit bërthamor”

Më shumë se një e treta e studiuesve besojnë se inteligjenca artificiale (AI) mund të çojë në një “katastrofë të nivelit bërthamor”, sipas një sondazhi të Universitetit Stanford, duke nënvizuar shqetësimet në sektor për rreziqet që sjell teknologjia që përparon me shpejtësi.

Sondazhi është ndër gjetjet e theksuara në Raportin e Indeksit të AI 2023, të lëshuar nga Instituti Stanford për Inteligjencën Artificiale të Përqendruar te Njeriu, i cili eksploron zhvillimet, rreziqet dhe mundësitë më të fundit në fushën në zhvillim të AI.

“Këto sisteme demonstrojnë aftësi në përgjigjen e pyetjeve dhe gjenerimin e tekstit, imazhit dhe kodit të paimagjinuar një dekadë më parë”, thonë autorët e raportit.

“Megjithatë, ato mund të manipulohen për t’i shërbyer qëllimeve të mbrapshta, duke theksuar sfidat e ndërlikuara etike që lidhen me vendosjen e tyre.”

Raporti, i cili u publikua në fillim të këtij muaji, vjen mes thirrjeve në rritje për rregullimin e inteligjencës artificiale pas polemikave që variojnë nga një vetëvrasje e lidhur me chatbot deri te videot deepfake të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy që shfaqet sikur u dorëzohet forcave pushtuese ruse.

Muajin e kaluar, Elon Musk dhe bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak ishin mes 1,300 nënshkruesve të një letre të hapur që kërkonte një pauzë gjashtëmujore në trajnimin e sistemeve të AI përtej nivelit të chatbotit të Open AI-së GPT-4 pasi “sistemet e fuqishme të AI duhet të zhvillohen vetëm pasi të kemi besim se efektet e tyre do të jenë pozitive dhe rreziqet e tyre do të jenë të menaxhueshme”.