I shokuar nga aksidenti me disa makina, shoferi i “Unazës” nuk del nga autobusi (VIDEO)

Newsbomb.al sjell pamje të minutës së fundit nga aksidenti i ndodhur vertëm pak minuta më parë në Tiranë, pranë urës së vogël te Tajvani. Urbani i linjës së “Unazës” dhe të paktën katër automjete të vogla janë përfshirë në aksident.

Siç shihet dhe nga këto pamje të mëposhtme, edhe vetë shoferi i urbanit duket i tronditur nga ngjarja dhe vazhdon të qëndrojë në vendin e tij.

Shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Rendit ndodhen në vendngjarje dhe po asistojnë. Pak më pak ka mbërritur në vendngjarje dhe mjeti i parë i autoambulancës, gati 20 minuta pasi kishte ndodhur përplasja dhe shërbimi ishte njoftuar nga qytetarët.

Të plagosur kanë mbetur shoferët e mjeteve që janë përfshirë në këtë ngjarje, por të shumtë janë dhe pasagjerët e urbanit të linjë së “Unazës”. Për shkak të goditjes së fortë, ata janë përplasur ne pjesën e përparme të urbanit dhe në ndenjëset e brendshme.

Policia njofton se nga aksidenti kanë mbetur të plagosur tre persona, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e ambulancës me stafin mjekësor dhe shërbimet e Policisë Rrugore e të Rendit.

“Më datë 27.02.2023, rreth orës 11:35, në vendin e quajtur Ura e Tajvanit, një autobus i linjës së Unazës është përplasur me disa automjete. Si pasojë janë dëmtuar 3 shtetas të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e ambulancës me stafin mjekësor dhe shërbimet e Policisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.