Gwyneth Paltrow rrëfen vështirësitë e të qenit njerkë: Është si të përpiqesh të shmangësh minat tokësore

Për Gwyneth Paltrow, të qenit njerkë nuk ka qenë aspak e lehtë. Aktorja 50-vjeçare u shpreh se si është të jesh pjesë e një familjeje të përzier pasi u bë njerkë e dy fëmijëve të bashkëshortit Brad Falchuk, Isabella, 19 dhe Brody, 17 vjeç.

Duke komunikuar me ndjekësit në Instagram Story, një fans e pyeti Paltrow se si është të martohesh me një partner që ishte tashmë prind nga një lidhje e mëparshme.

“Në fillim e pata vërtet të vështirë”, tha ajo. “E dini? Nuk ka asnjë libër për këtë. Askush nuk na thotë se çfarë të bëjmë. Dhe në fakt, të gjitha mediat ekzistuese rreth asaj se çfarë është njerka, na hedhin në këtë dritë të ligë, djallëzore. Është si të përpiqesh të shmangësh minat tokësore!”

Paltrow dhe Falchuk u martuan në shtator 2018, dy vjet pasi u finalizua divorci i saj dhe këngëtarit të Coldplay, Chris Martin. Paltrow dhe Martin, të cilët mbajtën marrëdhënie të shkëlqyera dhe madje bënin edhe pushime së bashku me partnerët e tyre përkatës, ndajnë së bashku vajzën Apple, 19 dhe djalin 17-vjeçar, Moses.

Ndërsa Falchuk i ka dy fëmijët me gruan e tij të mëparshme, Suzanne Bukinik.

Por nuk ishte gjithçka e lehtë për Paltrow, e cila pranoi vështirësitë me të cilat u has duke u bërë njerkë e dy adoleshentëve.

“Ju po hyni në një familje me dinamikë, dhe ka shumë frikëra rreth asaj dhe çfarë do të thotë ky person i ri,” tha ajo. “Por ju e dini vetë, në momentin që vendosa dhe mishërova plotësisht idenë se fëmijët e partnerit tim ishin fëmijët e mi dhe unë i doja po aq shumë, dhe u dhashë të njëjtat rregulla dhe kufij, dhe thjesht shkova me gjithë zemër, aq më e lehtë bëhej e gjithë kjo”.