Covid-19/ Ajo që do të vijë më pas do të jetë një “normale” e re

Dr. Rudina Jasini- Studiuese e së Drejtës Ndërkombëtare pranë Universitetit të Oxford-it

Pandemia e Covid-19 dhe sfida ndaj rendit të të drejtave dhe lirive të njeriut

Pandemitë qëndrojnë si një pasqyrë përballë njerëzimit. Ato reflektojnë moralin e shoqërisë duke testuar kështu të gjitha ekuilibrat e saj. Me virulencën e tyre ato kanë kapacitetin të ndryshojnë shoqëritë, strukturat politike dhe ekonomike, të shtypin revolucione, të zhvendosin lojtarët në hartën gjeopolitike botërore duke ulur disa superfuqi dhe duke ngritur disa të tjerë. E mbase duhet të kuptojmë se historia e botës nuk është shkruar dhe bërë vetëm nga njerëzit, por edhe nga mikrobet. Kjo ka qenë e vërtetë që nga pandemia e parë e dokumentuar, e njohur ndryshe si “Plaga e Justinianit” (pasi nënshtroi edhe vetë perandorin Justinian, edhe pse ai ishte ndër të paktët që i mbijetoi), e cila filloi në qytetin e Pelusium, në verilindje të Egjiptit, dhe u përhap në Kostandinopojë, Romë e deri në Britani. Kjo pandemi filloi në vitin 541 dhe mendohet të ketë zgjatur deri në vitin 750. Fundi i kësaj pandemie solli edhe një rend të ri botëror të karakterizuar nga ndryshime gjeopolitike, rritjen dhe fuqizimin e besimit Islam, dhe një ulje drastike të popullsisë së Romës në disa mijëra. Ashtu siç arsyeton profesori i njohur Frank M. Snowden i Universitetit të Yale në librin e tij “Epidemitë dhe Shoqëria: Nga Murtaja e Zezë deri me Sot”, historia e njerëzimit ka qenë gjithmonë e shoqëruar nga prania e epidemive dhe mënyra se si shoqëria është përballuar me to; ato kanë përcaktuar rrjedhën e jetës dhe kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë duke formuar në mënyrë radikale stadet e zhvillimit të njerëzimit.

Bota sot po përballet me një pandemi të re, atë të koronavirusit “Covid-19”, e cila po përhapet me një shpejtësi dhe në një shkallë të frikshme duke sjellë me vete krizën më të madhe globale të gjeneratës sonë. Ajo po godet fort të gjithë ekulibrat në të gjitha dimensionet dhe po sjell pasoja të thella jo vetëm për shëndetin publik por edhe për rendin ekonomik, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe nivelin e bashkëpunimit global. Muajt e fundit kanë përcjellur tek të gjithë ne një eksperiencë të jashtëzakonshme, me ankthin që vinte e shtohej në shkurt, të asaj që pritej dhe që ishte e pashmangëshme, duke vazhduar me realitetin e zymtë të marsit, e deri më sot, kur jetët tona po konsumohen çdo ditë fizikisht, emocionalisht edhe psikologjikisht nga realiteti i kësaj pandemie që tashmë ka përfshirë të gjithë globin. Edhe në Britaninë e Madhe, vendi ku unë jetoj prej disa vitesh, pandemia po shkund fort të gjithë themelet e sistemit shëndetësor, ekonomik, politik dhe social të vendit.

Por nëse ka një pyetje konstante që duhet të na bëjë të gjithëve të mendojmë në këtë situatë të jashtëzakonshme, është se cila është bota që do të trashëgojmë nga kjo pandemi? Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme, tashmë që realiteti i kësaj pandemie po na përballë me kufizime të theksuara të të drejtave dhe lirive të individit, një rritje dhe përqendrim të autoritetit tek pushteti i ekzekutivit, dhe një dobësim të solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Individit sot, si në Shqiperi dhe pothuajse në të gjitha shoqëritë e demokracive liberale, i është kërkuar të sakrifikojë shumë nga liritë dhe të drejtat themelore përkundrejt masave drastike të ndërmarra, deri diku të justifikuara, për të përballuar këtë gjendje të jashtëzakonshme pandemie. Por në këtë sfidë të vërtetë, ne duhet të jemi më vigjilentë se kurrë për të mos lejuar që ajo balancë e brishtë midis të drejtave të individit dhe pushtetit të anojë në anën e autoritetit, dhe që çdo masë e marrë duhet të jetë e përkohshme dhe në proporcion me rrezikun e paraqitur nga kjo pandemi. Dua të përmend këtu zhvillimet e fundit në këtë drejtim, ku një numër vendesh duke përfshirë edhe vende të Bashkimit Europian si Hungaria, kanë arritur të kalojnë legjislacione që kanë sjellë si rrjedhojë një përqëndrim të një autoriteti autokratik në duart e ekzekutivit, i cili po cënon dukshëm të drejtat themelore, ndër to edhe të drejtën e shprehjes së lirë.

Kjo ka sjellë një cënim të rrjedhjes së lirë të informacionit, të komunikimit efektiv dhe transparencës, të raportimit dhe informimit të saktë mbi strategjitë dhe politikat e ndërmara për të luftur këtë pandemi, si dhe ka prekur dukshëm besimin që një popull ka tek qeveria e tij për të menaxhuar këtë krizë. Zhvillimi i teknologjisë gjithashtu ka ofruar një platformë tjetër të fuqishme për të rritur kapacitetet e survejimit, pasojat e vërteta të së cilës ne do të mund ti mësojmë vetëm në muajt dhe vitet që do të vijnë. Në këtë kuadër, në 16 Mars 2020, një grup ekspertësh të të drejtave të njeriut paraqitën një raport të përbashkët mbi këtë çështje pranë Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut ku me urgjencë i tërhiqej vëmendje të gjithë shteteve. Në këtë raport theksohej, se ndërsa situata e rëndë e krizës aktuale shëndetësore ka diktuar marrjen e masave të gjendjes së jashtëzakonshme në shumë vende, dhe kjo në përputhje edhe me të drejtën ndërkombëtare, është shumë e rëndësishme që çdo masë emergjence e marrë për të luftuar koronavirusin duhet të jetë në proporcion me nevojën dhe jodiskriminuese. Dhe si të tilla, këto masa nuk mund të përdoren si bazë për të ushtruar autoritetin kundër një grupi të caktuar, ndaj një minoriteti apo individi. Në asnjë mënyrë, këto masa nuk duhet të merren për të mbuluar veprime shtypëse nën justifikimin e mbrojtjes së shëndetit dhe si të tilla nuk mund të përdoren për të shtypur mendimin opozitar.

Duhet të kuptojmë se Covid-19 po rezulton në më shumë sesa nje pandemi vdekjeprurëse. Ajo tashmë e ka pllakosur ekonominë botërore në një situatë edhe më të rëndë se sa edhe Depresioni i Madh i vitit 1930. Ka sjellë një dobësim të dukshëm të rendit global dhe të forcës së globalizimit, të autoritetit të organizatave ndërkombëtare si ai i OKB-së, si dhe të rolit dhe pushtetit të BE-së, e cila po ndeshet me një krizë ekzistenciale. Kur ky virus të fillojë të ngadalësohet dhe qeveritë e çdo vendi të fillojnë rindërtimin, do të jetë më e rëndësishme së kurrë që ne të rikalibrojmë të gjitha ato ekulibra social, ekonomik, politik duke iu shkëputur presionit për një izolim dhe duke ruajtur me fanatizëm karakteristikat e solidaritetit dhe të globalizmit. Ashtu siç argumenton edhe historiani Yuval Noah Harari, një nga mendjet më të ndritura të epokës sonë, kjo pandemi duhet ta shtyjë njerëzimin që të zgjedhë solidaritetin global dhe jo nacionalizmin izolacionist. Duhet ta shtyjë që të zgjedhë dhe të drejtohet nga udhëheqës që duan të bashkojnë popujt e tyre, dhe jo t’i përçajnë ata. “Shkurt, duhet të hapemi dhe jo të mbyllemi në vetvete, të emancipojmë qytetarët në vend se të forcojmë kontrollin totalitar”. Unë dua t’i bashkohem këndvështrimit optimist të Hararit për botën që do të vijë, gjithmonë duke shpresuar në vendosjen e individit në qendër të fuqizimit të shoqërisë sonë globale. Atë që ne njihnim si ‘normale’ tashmë i përket të shkuarës. Ajo që do të vijë më pas, do të jetë një ‘normale’ e re, përmbajtja dhe forma e të cilës do të varet vetëm nga ne.