Cikalleshi barazon Ronaldon

Sokol Cikalleshi dërgon sinjale të tjera për Sylvinhon nga Arabia Saudite. Sulmuesi ishte vendimtar për skuadrën e Al Kalezh, teksa shënoi dopietën e golave në fitoren 2-0 përballë Damac. Shqiptari realizoi një gol fantastik nga jashtë zonës, duke lëshuar një të majtë të fortë dhe kaluar në avantazh skuadrën.

Një gol që tronditi jo pak kundërshtarët, të cilët shkaktuan penallti. Nga pika e bardhë ishte sërish Cikalleshi ai që u tregua i ftohtë për të vulosur shifrat përfundimtare në 2-0. Një tre pikësh me tepër vlera për skuadrën dhe vlerësime të shumta ka marrë edhe 32-vjeçari.

Kavajasi ngjitet në kuotën e 5 golave në elitën e futbollit Arab, aq sa Cristiano Ronaldo ylli i Superligës. Cikalleshi rrit kështu ndjeshëm mundësitë për të qënë në fushë në takimin e parë eliminator të Euro2024 kundër Polonisë. Pas kësaj fitoreje, Al Kalezh i largohet disi fundit të renditjes, me pikë të barabarta me skuadrën e zonës së ftohtë, por me një takim më pak.

Tv Klan