Çfarë do të ndodhte nëse rusët do ta vrisnin Zelenskyn?

Kur Volodymyr Zelensky u pyet nëse ndihet i shqetësuar me përpjekjet e Rusisë për ta vrarë atë, ai u përgjigj se nuk i lejohej një gjë të tillë. Portali Politico analizoi se çfarë do të ndodhte nëse rusët do të kishin sukses në këtë qëllim kriminal.

Në një intervistë gjatë muajit të kaluar për CNN, Zelensky tha se nuk po ka kohë që të mendojë për planet e rusëve për ta eliminuar atë.

“Nëse do të mendoja vazhdimisht për këtë, thjesht do të mbyllesha, sikurse Putini tani që nuk e lë bunkerin e tij. Sigurisht, truprojat e mi duhet të mendojnë se si ta parandalojnë këtë dhe kjo është detyra e tyre. Nuk mendoj për këtë”, tha atëbotë 45-vjeçari.

Ndërsa kjo është një çështje për të cilën lideri ukrainas, kuptohet, nuk dëshiron të mendojë, është gjithashtu një çështje që mbështetësit e tij brenda dhe jashtë vendit nuk mund ta injorojnë.

Që nga refuzimi i një oferte evakuimi, duke u thënë shpëtimtarëve amerikanë, “unë kam nevojë për municion dhe jo për largim”, ai ka luajtur një rol kyç në tërheqjen e mbështetjes ndërkombëtare për luftën kundër Rusisë.

Nuk është çudi që ligjvënësit rusë dhe blogerët ushtarakë ultra-nacionalistë janë të bashkuar në thirrjen që të vritet presidenti ukrainas.

Statusi i Zelenskyt si një simbol i asaj që Perëndimi e sheh si një lufte të drejtë, aftësia për të kërkuar dhe qortuar aleatët derisa t’ arrijë synimet, gatishmëria për të shtyrë agjendat e tij dhe paraqitjet parlamentare, të gjitha e figurojnë atë si simbol të luftës kundër Rusisë.

Disa javë pas pushtimit të Vladimir Putinit në muajin shkurt të vitit 2022, këshilltari kryesor i presidentit, Mykhailo Podolyak, zbuloi se kishte pasur të paktën një duzinë atentate serioze ndaj shefit të tij nga ekipet ruse të sabotimit dhe inteligjencës, duke përfshirë çeçenët dhe mercenarët e Wagnerit që ishin përpjekur të t’i afroheshin Kievit.

Vetë Zelensky thuhet se kishte një takim “Zoom” me senatorë amerikanë menjëherë pas pushtimit duke u thënë se “mund të jetë hera e fundit që më shihni të gjallë”.

Është e qartë se rreziqet janë më të ulëta tani se sa ishin në javët e para të luftës, kur tanket ruse u futen në kryeqytetin ukrainas dhe pakkush mendonte se kombi do t’i mbijetonte konfliktit.

Por, askush në qeverinë e Ukrainës apo parlamentin e vendit nuk dyshon se rreziku ende mbetet i madh.

Në muajin mars, pati thirrje për ta vrarë Zelenskyn pasi diversantët rusë anti-Putin të mbështetur nga Ukraina kaluan kufirin dhe sulmuan dy fshatra ruse në rajonin e Bryansk. Përfaqësuesi Mikhail Delyagin tha se “e vetmja përgjigje normale” ndaj incidentit është “eliminimi i menjëhershëm i Zelenskyt”.

Duke pasur parasysh rreziqet dhe kërcënimet, nuk është çudi që zyrtarët ukrainas preferojnë të injorojnë kërkesat për të diskutuar se çfarë do të ndodhte nëse Rusia arrinte të kishte sukses – ose ata refuzojnë të flasin publikisht, duke u shqetësuar se tema duket shumë e rëndë.

E megjithatë, pavarësisht nga ngurrimi për ta trajtuar çështjen publikisht, plani ekziston, sipas intervistave me zyrtarë dhe ligjvënës ukrainas, si dhe me analistë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të njëjtën gjë, se “ukrainasit kanë plane, për të cilat nuk do të flas ose nuk do të hyj në detaje, për të siguruar atë që ne do ta quajmë ‘vazhdimësi e qeverisjes’ në një mënyrë ose në një tjetër”.

Formalisht, sipas kushtetutës, linja e trashëgimisë është e qartë.

“Kur presidenti nuk është në gjendje të përmbushë detyrat e tij, kryetari i Verkhovna Rada të Ukrainës (parlamenti ukrainas) merr përsipër përgjegjësitë e tij”, tha Mykola Knyazhytsky, ligjvënës i opozitës nga qyteti perëndimor i Lvivit. “Kështu që nuk do të kishte vakum”.

Ruslan Stefanchuk, kryetari i parlamentit ukrainas

Kryetari i Verkhovna Rada, Ruslan Stefanchuk, anëtar i partisë së Zelenskyt, “Shërbëtori i Popullit”, nuk e ka besimin e popullit sipas sondazheve. Kjo është rreth 40 për qind, më pak se gjysma e Zelenskyt. Dhe ai nuk është i popullarizuar në mesin e deputetëve të opozitës.

“Por, nuk mendoj se ka rëndësi”, tha Adrian Karatnycky, anëtar i lartë jorezident në Qendrën Eurasia të Këshillit Atlantik. “Ka një ekip të fortë drejtues dhe mendoj se do të shohim një qeveri kolektive”, shtoi ai.

Këshilli qeverisës ka shumë të ngjarë të përbëhet nga Stefanchuk si një figurë qendrore, së bashku me Andrii Yermak, ish-producent filmi dhe avokat që është kreu i zyrës së presidentit, ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba dhe ministri i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov. Valery Zaluzhny do të mbetej gjenerali suprem në vend.

Karatnycky shtoi se Ukraina ka krijuar një aparat “të mirë-formuar” administrativ, ushtarak dhe diplomatik.

“Nuk dua të them se Zelensky është pothuajse i parëndësishëm për këtë. Por, unë mendoj se uniteti i vendit është një gjë e pazëvendësueshme”, shtoi ai.

Historia gjithashtu ofron një siguri të caktuar. Komplotistët e Kremlinit do të bënin mirë të lexonin një punim të bazuar në të dhënat e shkruara nga akademikët Benjamin Jones dhe Benjamin Olken për Byronë Kombëtare të Kërkimeve Ekonomike të SHBA-së (NBER) mbi efektin e 59 vrasjeve të liderëve kombëtarë midis viteve 1875 dhe 1875 mbi institucionet dhe luftën.

“Vrasjet e autokratëve prodhojnë ndryshime të rëndësishme në institucionet e vendit, ndërsa atentatet ndaj demokratëve jo”, përfunduan ata.

“Vrasja nuk e ka ndryshuar kurrë historinë e botës”, deklaroi ish-kryeministri britanik, Benjamin Disraeli disa javë pasi presidenti amerikan, Abraham Lincoln u qëllua për vdekje teksa po shikonte një shfaqje në Teatrin Ford në Uashington. Në të vërtetë, vrasja pati efekt në sjelljen e reformave në administratën amerikane.

Një shembull tipik i historisë është rasti i Jul Cezarit. Kundërshtarët e Cezarit dështuan në qëllimin e tyre për të shpëtuar Republikën Romake të dënuar nga diktatura, por në vend të kësaj, vetëm shkaktuan luftërat civile që ndihmuan në akselerimin e tranzicionit dukshëm të pashmangshëm drejt sistemit imperialist të Cezarëve.

Situata e Ukrainës është, natyrisht, e veçantë. Me institucionet e saj demokratike që po forcohen, ajo është shumë larg Republikës Romake në dekadencë, e cila sigurisht kishte ditët e numëruara, qofshin të suksesshme apo e kundërta. Dhe Evropa është tashmë në luftë.

Ndërsa vdekja e Zelenskyt do të ishte një tronditje psikologjike, Karatnycky deklaroi se për të vlerësuar ndikimin e mundshëm, ju duhet të merrni parasysh se si Ukraina është transformuar që kur Rusia nisi agresionin e saj.

Sulmi i Putinit pa justifikim ndihmoi në krijimin e një ndjenje të re të fortë të kombësisë ukrainase dhe në formimin e “institucioneve të sigurta”, tha ai. Publiku është i bashkuar “për sa i përket qëllimeve të tij”, shtoi ai.

Nëse ka një hallkë të dobët në skenar, ndoshta nuk është në Ukrainë, por mes aleatëve të saj.

Retorika dhe oratoria e Zelenskyt ka fituar zemrat e audiencës nga Uashingtoni në Londër dhe nga Brukseli në Varshavë. Eliminimi i tij do të shkaktonte pasiguri tek njerëzit e rëndomtë pasi nuk e dinë se çfarë do të ndodhte më pas. Kjo mund të rrisë presionin për negociata dhe kompromis.

Megjithatë, kjo nuk është një luftë me një njeri. Dhe të paktën në Ukrainë, pakkush dyshon se liderë të tjerë, po aq të denjë, do të ngriheshin në këmbë siç kanë bërë që nga pushtimi.