Angus Cloud: Si takimi rastësor në rrugë e shndërroi në një yll të ‘Euphoria’

Në një natë të ngrohtë vere në New York, Eléonore Hendricks pa Angus Cloud, aktorin 25-vjeçar që ndërroi jetë të hënën, duke ecur në një rrugë në Manhattan.

Ishte viti 2018 dhe zonja Hendricks po rekrutonte aktorë për një shfaqje të re në HBO të titulluar “Euphoria”, një serial për adoleshentët, dashurinë, humbjen, varësinë dhe shpresën.

Ajo ishte në kërkim të djalit që do të luante Fezco “Fez” O’Neill. Ishte ora 22:00 dhe ajo ishte jashtë orarit të punës. Por kur pa 20-vjeçarin Angus në rrugën Mercer, personazhi i imagjinuar në skenarin e serialit u “kristalizua” para syve të saj.

“Personazhi është shkruar si dikush që është një fëmijë shpërndarës droge, por jo një fëmijë i keq,” tha ajo për BBC News. “Dikush që është njëri i rrugës dhe ka një pengesë të caktuar, dhe gjithashtu dikush të cilit mund t’i besoni dhe të ndiheni të sigurt.”

Angus i përcolli “diçka kaq të veçantë” që nga momenti që e pa dhe e ndaloi për të biseduar.

Duke pasur përvojë në punë të tilla për dy dekada, zonja Hendricks dinte se si t’u afrohej njerëzve të panjohur dhe t’i bindte ata të bënin një audicion për një rol të caktuar.

Aktori i ndjerë Cloud punonte në atë kohë në një restorant që bënte pula dhe waffles në Brooklyn dhe ka thënë në intervista se nuk kishte aspirata për të qenë yll Hollywood-i.

Ai i tha për GQ në vitin 2019 se takimi me zonjën Hendricks ishte i çuditshëm dhe ai mendoi se “ishte një lloj mashtrimi”.

“Unë nuk e di gjithmonë nëse ata janë të duhurit për rolin, por unë shoh njerëz vërtet të veçantë ndonjëherë,” tha zonja Hendricks. Ajo kujtoi sytë e tij ëndërrimtarë dhe zërin melodioz sikur po këndonte një ninullë.

Pavarësisht skepticizmit të tij të dukshëm, ai kontaktoi me mesazh të nesërmen dhe ajo e drejtoi për të dhënë intervistën në kamera në mënyrë që të vlerësohej prania e tij në ekran. Shpejt pas kësaj, u vulos marrëveshja.

“Ai e mori dialogun dhe e tha sikur të ishte ai vetë. Doli prej tij kaq natyrshëm,” shtoi zonja Hendricks.

Fez nuk ishte menduar kurrë të ishte një personazh i rregullt, por audienca e HBO ra në dashuri me sytë e tij blu dhe zemrën e tij të madhe, faktin që dëgjonte dhe shqetësohej vërtet për Rue (personazh i luajtur nga Zendaya).

“Të gjithë ishin të dashuruar me Angus-in dhe ai ndante shumë nga dashuria e tij me shumë njerëz. Nuk e di nëse i kishte mbetur ndopak dashuri për veten,” tha Hendricks.

Anabelmagazine