Truproja në kërkim i Elvana Gjatës/ Nga misionet paqeruajtëse te ngjarja në Bllok

Meviol Bilo 41-vjeçari i shpallur në kërkim si autori i ngjarjes kriminale, ku gjeti vdekjen një person dhe dy të tjerë u plagosën, është pjesë e Forcave të armatosura. Ai është rreshter specialist i Xhenios në Batalionin e Forcave Speciale. Ndërkohë Bilo ishte i punësuar edhe si truprojë i këngëtares Elvana Gjata. Sipas ligjit, të punësuarve në shtet, nuk iu ndalohet një punë e dytë, të cilën prej disa kohësh e bënte edhe 41-vjecari. Nuk dihet saktë në c’rrethana ka shkrepur armën, por sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes ai ishte një ushtarak me kredite shumë të mira dhe rezultate po shumë të mira në testime. Skedën personale e ka shumë të pastër, dhe sipas atyre që e njohin ishte një njeri i qetë dhe jo problematik. Burimet thonë gjithashtu se mbrëmjen e vrasjes nuk ka pasur armën e shërbimit me vete, pasi atë e kishte lënë në garnizon. Meviol Bilo ka qenë pjesë e Forcave Speciale të Ushtrisë shqiptare, që kanë shërbyer në mision paqeruajtës në Kandahar. Në dhjetor të vitit 2011, Bilo është dekoruar me “Medaljen e shërbimit”, pas kthimit të atdhe nga misioni në Afganistan. Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes në atë kohë, thuhej se në kuadër të festimeve me rastin e 99-vjetorit të Pavarësisë, 8 oficerë të ushtrisë u çertifikuan me “Medaljen e Shërbimit” për performancë të jashtëzakonshme dhe ekzekutim të suksesshëm të detyrave gjatë misionit “Eagle 3”. Meviol Bilo është i martuar dha ka dy fëmijë./BallkanWeb