Einxhel Shkira: Arsyet që më shtynë të largohem nga ekrani

Brune tipike dhe gangstere, e brishtë dhe e fortë, me figurë në televizion dhe me zë në radio. Einxhel Shkira i bën të gjitha… U rendit në krye të toplistës së 100 femrave më seksi pranë futbollistëve të “Euro 2016” për historinë që ka pasur me Bekim Balaj, pasi bukuria e saj thërret. E krahasojnë me Monica Belluccin për kontrastin e flokëve të zeza me lëkurën zeshkane, por nuk e ka zakon të delirojë, pasi mjaftohet me bukurinë unike, që i ka falur Zoti. Për arsyen pse la punën në televizionin “In Tv”, aventurën e re në radio ku rrezikon me thënien e të vërtetave hapur, besimi tek ligji i tërheqjes, pse është tip problematik në lidhje intime me djem, dhe disa sekrete për të cilat s’ka folur ndonjëherë rrëfehet për revistën “Story”. Einxhel Shkira vjen me një set ekskluziv fotosh të realizuara nga pushimet në Mal të Zi

Një brune si ty dominohet nga mendjelëhtesia apo vetëpërmbajtja për mënyrën si kalon pushimet e verës?
S’e di nëse ka të bëjë fakti që jam brune me mënyrën si më pëlqen të kaloj pushimet, por me siguri s’janë nga ato pushimet me shampanja. Pa dashur të paragjykoj asnjë, pushimet për mua janë diçka dhe diku që të jem rehat. Dhe në shtëpi të jem duke fjetur gjumë s’më shqetëson fare ky fakt, sepse jam në një fazë të jetës që dhe këtë e quaj pushim. Madje kur u largova disa ditë në Mal të Zi, arsyeja ishin fotot artistike, pra për punë. Përfitova nga rasti të flija dy ditë rresht, dhe ndoshta këto ishin pushimi i vetëm për mua. Jam lidhur shumë pas punës dhe tashmë prej dy vjetësh, nuk po bëj asnjë pushim të mirëqenë. Dhe kjo jo se më ka detyruar njeri, por sepse e kam ndjerë të nevojshme të fokusohem tek puna më shumë. Pushimet s’më kanë munguar kurrë, e as qejfet vetes s’ia kam lënë mangut, deri para se të punoja, ndërsa tani është moment shumë kyç në karrierën time që s’do e lija kurrë pas dore për hir të pushimeve.
Këtë moment që e quan kyç në karrierë vendose të largohesh nga televizioni “In tv” ku punon. Çfarë ndodhi?
Arsyet janë të shumta. Ishte diçka e vendosur muaj më parë, madje pa gjetur asnjë alternativë tjetër pune. Kisha planifikuar të bëja një largim paqësor, dhe besoj i tillë ishte nga ana ime të paktën, ndonëse me disa individë të caktuar s’ishte i tillë. Këtë punë si fillim e kam nisur dhe vazhdoja ta bëja për qejf, sepse fama apo lekët s’janë qëllim jete për mua. Por në momentin që një punë s’më bën të lumtur e as të pasur, e as të famshme (dhe jo për fajin tim), atëherë mendova që s’kishim çfarë t’i jepnim më njëra-tjetrës. Emisionet e mia i kam dashur gjithmonë shumë, dhe shumicën e përgatitjeve i bëja vetë. Kam investuar shumë tek ajo punë, derisa kuptova që meritoj më shumë, dhe një trajtim më të mirë.
Sa e fortë ishte konkurrenca mes jush në televizionin ku punoje?
Si fillim ishte shumë e bukur, sepse të gjithë ishin thjesht të lumtur me mundësinë që i ishte dhënë. Fokusi më i madh ishte të mësonin sa më shumë nga kjo përvojë. Ishin shumë të dashur me njëri-tjetrin për aq kohë sa ishim në start të gjithë. Por me kalimin e kohës gjërat ndryshuan, natyrshëm si në çdo punë tjetër, dikush u ngjit më lart, dikush me poshtë e dikush s’shkoi askund. Kjo krijon garën, xhelozinë e të tjera gjëra që në fakt më shumë të dëmtojnë në këtë profesion sesa të çojnë përpara. Për mua e vetmja konkurrencë që ditën e parë ka qenë vetja ime, dhe gjithmonë kam menduar se secili ka tipin, stilin dhe emisionin e vet, e gjithçka më pas varet nga gustot e publikut.
Ke planifikuar dalje ndryshe këtë sezon televiziv?
Këtë sezon nuk do të kem asnjë emision përveç atij në radio, dhe mendoj që më duhet një periudhë pauze për të kuptuar më mirë se çfarë dua të bëj më tutje dhe cila do të jetë eksperienca e radhës.
Nisur nga puna e re në radio, si është për ty të jesh në kontakt me publikun me zë, por pa figurë?
Tashmë prej një muaji jam pjesë e “City Radio 88.0 fm”, stacion kryesisht i fokusuar në muzikë, por që së fundmi vjen me emisionin e tij më të ri “ELECTRONIC BEATS” nga unë dhe Dj.Abel, tre herë në javë. Si emision vjen natyrshëm i strukturuar për të edukuar dëgjuesin me muzikë të mirë dhe lajme cilësore, gjithashtu unë dhe Abeli kemi marrë përsipër riskun e të thënit të disa të vërtetave nëpërmjet zërit tonë dhe këtij emisioni, që në botën e showbizz, dhe më tutje janë ende tabu. Pra sekrete apo frikë të thuhen, kompleks të cilin ne të dy s’e kemi. Dhe kjo besoj ishte arsyeja që jemi përzgjedhur për këtë “mision”, të cilin unë po e shijoj shumë. Më kishin thënë që radio është një dashuri, por tani po e besoj.
Por pamja nuk të mbështet në këtë rast, pasi askush s’të sheh?
Jam shumë e qetë përtej mikrofonit, pa ndjesinë që diçka s’duket mirë, apo që dikush do të fokusohet një orë me pamjen pa dëgjuar asgjë nga ato që po them. Është një e vërtetë e hidhur, nga e cila për momentin kam shpëtuar, por mbi të gjitha i kam treguar shumë skeptikëve dhe njerëzve, që kanë dashur të nënvlerësojnë aftësitë e mia duke i dhënë i gjithë atributet pamjes sime, se di të jem e zonja dhe thjesht nëpërmjet zërit, pa pasur fare nevojë “të zhvishem”.
Talenti që të bën më dominonante si prezantuese?
Dikur të flisje shumë quheshe llafazane, por sot ajo është një punë dhe madje e domosdoshme. Unë e falenderoj Zotin që më ka dhënë një talent të tillë. Ndoshta ajo që më karakterizon është lirshmëria, spontaniteti dhe sinqeriteti, gjë e cila në televizionet tona mungon shumë. Prezantimi nuk është i vetmi talent i imi, pasi dikur kam bërë dhe sporte apo art, duke filluar që nga skicat, pikturat, designet etj. Pra dhe nëse një ditë s’do të jem më prezantuese, atëherë seriozisht jam e sigurt që kam plot gjëra që di dhe dua të bëj.
Formati televiziv që e sheh të duhurin për natyrën që ke?
Jam ende në fillimet e mia do të thoja, pasi dy vjet e gjysmë nuk janë mjaftueshëm si eksperiencë për ta pozicionuar veten aty ku dua unë. Sigurisht që në mendjen time gjatë gjithë kohës e projektoj veten në formate të ndryshme, dhe ndoshta më e përshtatshme për mua do të ishte një show me të ftuar ndoshta, që të kem mundësi të shpalos aftësitë e mia intervistuese, por në një mënyrë “funny” dhe jashtë kornizave. Gjithashtu me eksperiencën time të fundit në rubrikën “People In Life” zbulova që dhe emisionet në terren janë shumë argëtuese dhe më vinte aq natyrshëm intervista me personazhet sa më bezdiste ideja e një skenari apo skalete.
Me djemtë që bëjnë television, çfarë marrëdhënie ke krijuar?
Në fakt është një marrëdhënie pozitive dhe korrekte. Kam qenë e ftuar në emisionet e tyre, dhe kam patur pritje mjaft të mirë, duke gëzuar respekt reciprok, besoj.
Moderatori që të intrigon ta kesh në krah?
Sa i përket moderatorëve, Drini Zeqo është ai që vlerësoj më shumë dhe mendoj se të dy do të kishim një kimi shumë të mirë në skenë, pasi kuptohemi mjaft mirë me njëri- tjetrin. Sigurisht eksperienca e tij do të më bënte të ndjehesha shumë e sigurt krah tij në prezantim, dhe besoj në një të ardhme të afërt kjo s’do mbetet thjesht një dëshirë.
E ke ndier xhelozinë në këtë punë dhe si e ke menaxhuar?
E kam ndier që në fillime, por mendoj që është mëse normale kaq e mirë sa jam unë! (qesh) Përtej shakasë pikërisht kjo ka qenë mënyra si e përballoja, kur kuptoja se dikush është xheloz, pra i shkoja afër dhe lavdëroja veten gjithë kohës, e kështu e bëja të ndjehej edhe më keq me vetëbesimin tim të tepruar në këtë rast. Megjithatë duke qenë dhe në moshë më e madhe nuk mund të merresha me vogëlsira, dhe madje shpesh në mënyra të ndryshme i kam ndihmuar shumë të tjerët aty. Sepse në këtë punë sado konkurrencë të bësh, është kot, në fund gjithsecili e tregon veten sa vlen e sa do të arrijë.
Të ka ndodhur të mbyllesh në vetvete dhe të lësh gjithçka në mes?
Ju falenderoj që më bëni pyetje përtej asaj që perceptojnë shumica. Po, më ka ndodhur disa herë dhe shkoja shumë afër dorëheqjes, jo sepse nuk jam e fortë për ta përballuar, por sepse i bëja pyetjen vetes për çfarë po e bëj, çfarë të mire po më sjell, a ia vlen ky stres e kjo lodhje? E përgjigjet ishin shumë negative, madje përgjigja e shumicës janë pikërisht ato prapaskenat e famës. Nuk është aq bukur dhe aq lehtë. Më është dashur të sakrifikoj shumë gjëra, të lë pas dore shumë të tjera, të mungoj në festa apo gëzime familjare, të kaloj më pak kohë me njerëzit që dua dhe të dëgjoj shumë thashetheme për veten, ndërkohë që s’ke bërë asgjë nga ato. Kjo është një lloj ngarkese negative shpesh, por kur je aty para kameras e fillon të bësh atë që ti do të bësh, apo që ke ëndërruar që fëmijë të jesh aty, i harron të gjitha e fillon flet e qesh, ndonëse mund të mos jesh e lumtur atë ditë apo e sëmurë. Dhe më tepër akoma kur sheh njerëzit e tu të zemrës që presin para ekranit për të të ndjekur, duke u shkëlqyer sytë nga kënaqësia, atëherë i harroj të gjitha dhe marr dyfish frymëzim për të vazhduar. Familja ime është krenare për mua dhe gjithçka kam arritur, e ky është shpërblimi më i madh për mua, saqë mendoj se ia vlen sakrifica.