Vajza e El Chapos mban maskë koronavirusi me fytyrën e të atit, teksa përgatit ndihmat

E bija e El Chapo-s është shfaqur së fundmi duke mbajtur maskë koronavirusi me fytyrën famëkeqe të të atit, teksa përgatit pako me ndihma për të varfërit e Meksikës.

38 vjeçarja Alejandrina Guzman, kishte publikuar pamje në mediat sociale duke përgatitur kutitë e mbiquajtura “Furnizimet e Chapos” që do të shpërndahen në qytetin e Guadalajara, në perëndim të Meksikës.

E bija e ish-kreut të kartelit famëkeq Sinaloa mban maskën teksa përgatit pakot me letra higjenike, ushqime dhe artikuj të tjerë, së bashku me disa gra të tjera.
Edhe koleget e saj mbajnë maska me fytyrën e El Chapos, ndërsa fytyra e tij duket e stampuar dhe në kutitë e ndihmave.

Teksa gratë janë duke dezinfektuar duart, një zë burri i pyet nëse i përgatitën “Chapo dispensas” (furnizimet e Chapo-s).

Bija e mafiozit shpjegon më pas se kutitë do t’u jepen njerëzve më në nevojë gjatë krizës së koronavirusit dhe kryesisht më të moshuarve. Alejandrina Guzman ishte në faqet e para të gazetave këtë vit për martesën ekstravagante me Edgar Cazares.

Mediat vendase raportonin se kartelat meksikane të drogave si Jalisco New Generation, Los Viagras apo Golfo Cartel kanë bërë donacione të ngjashme gjatë krizës së Covid-19.

Kritikët thonë se kartelat po e përdorin krizën e koronavirusit për të shtuar influencën e tyre në rajonet e varfra.

Meksika deri tani ka regjistruar 5,847 raste me Covid-19, e 449 vdekje.

Top Channel