Tritol në Range Rover! Arrestohet noterja Rezarta Koçi, denoncimi: Vodhi 72 mln lekë

Rezarta Koçi, noterja të cilës i shpërthyen një sasi tritoli në mjetin e saj luksoz “Range Rover” më 6 nëntor të vitit 2021, është vënë sot në pranga. Në njoftimin e Policisë së Tiranës bëhet me dije se Koçi akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Hetimet disamujore kanë dalë në përfundimin e Koçi gjatë ushtrimit të detyrës si notere, në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm.

Si iu vu tritoli Koçit?

Në makinën luksoze të llojit “Range Rover”, tip “Evoque” me targa ‘AA 199 YS’ në pronësi të noteres Rezarta Koçi, u vu dhe u shpërthye një sasie eksplozivi rreth orës 23:00 në zonën e njohur si “Komuna e Parisit” në Tiranë, mbrëmjen e 6 nëntorit. Makina ishte parkuar në rrugën ‘Osman Myterizi’ poshtë një pallati në momentin që ka shpërthyer. Tritoli ishte vendosur në pjesën e përparme të makinës dhe ka sjellë dëme materiale në atë zonë të mjetit, por fatmirësisht nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz. Edhe pse kanë kaluar disa muj nga ngjarja, nuk është zbuluar ende nëse objektivi ka qenë pronarja e makinës, noterja Koçi apo personat që kanë lënë pakon, kanë dashur të përcjellin vetëm një ‘mesazh kërcënues’. Koçi nuk e mbante më statusin e noteres, pasi ishte përjashtuar përgjithmonë nga sistemi, pas një hetimi të nisur me urdhër të ish-ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Denoncimi për Koçin

Në emisionin Stop në Tv Klan është publikuar një denoncim për noteren Rezarta Koçi më 26 janar, e cila ka marrë paratë që ishin kaluar në llogari për shitjen e një shtëpie. Qytetarja Drita Sula tregon se në Shkurt 2021 ia shiti shtëpinë e saj në Yzberisht shtetasit Ervin Qiriaqi. Kontrata e shit-blerjes u bë tek noterja Rezarta Koçi. Shuma prej 72 milionë Lekësh që u shit shtëpia kaloi tek llogaria e noteres, sipas ligjit, dhe më pas paratë duhet të kalonin në llogarinë bankare të shitësi brenda 24 orësh. Por kjo nuk ndodhi dhe Sula e denoncoi noteren Rezarta Koçi se i ka vjedhur 72 milionë lekë.

Njoftimi i policisë Tiranë:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Noterja”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Vihet në pranga një 40-vjeçare me detyrë notere, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në kuadër të një pune policore dhe procedurale të pandërprerë disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Noterja”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetases: – R. K., 40 vjeçe, me detyrë notere, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase, gjatë ushtrimit të detyrës si notere, në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

(F.m/dosja.al)