‘Shoqata Ferdinand Deda’ rekrutonte vajza për prostitucion, reagon Elton Deda

Ditën e djeshme emisioni investigativ ‘Fiks Fare’ denoncoi sesi një shoqata e cila mbante emrin ‘Ferdinand Deda’ rekrutonte vajza me qëllim shfrytëzimin për prostitucion në Maqedoni, shkruan Prive.

Për këtë ngjarje ka reaguar këngëtari Elton Deda, i cili thotë se nuk e di sesi kjo shoqatë është regjistruar në Gjykatë pa dijeninë e familjarëve teksa i premton të atit se do të bëj ç’është e mundur ta heq fytyrën e tij nga ajo vulë dhe nga ai aktivitet i ndyrë.

Postimi i plotë i Elton Dedës

I dashur Baba, Nder i Kombit dhe muzikanti gjeni. Më në fund të erdhi edhe ty rradha që në 15 vjetorin e vdekjes, të dalësh në TV, jo me baketën tënde në dorë por fytyra jote e pashme e stampuar në një vulë shoqate e cila merret me prostitucion dhe eskorta. Se si është legalizuar kjo shoqatë në gjykatë nuk e di, por me siguri kanë harruar të kërkojnë pëlqimin tënd meqenëse ti ke lëvizur për pak kohë jashtë shtetit. Gjithashtu edhe për ne familjarët e tu, harruan të na kërkojnë një autorizim të përkohshëm derisa të vije ti. Meqë të erdhi shorti në majë të hundës dhe vendose të mos ktheheshe, këta vendosen të të kujtojnë duke të respektuar dhe duke i vënë emrin tënd të nderuar një shoqate. Mbase po të kishe vendosur të rrije edhe mund të kishe përfituar diçka nën dorë, pa zhurmë dhe mbase kishe mbyllur ndonjë vrimë në portofol. Të premtoj që do bëj ç’është e mundur (pasi e di që shumëpak prej baballarëve të kombit do tu interesojë ta ndjekin këtë çështje), ta heq përjetesisht fytyrën tënde të hijshme nga ajo vulë dhe nga ai aktivitet i ndyrë. Nuk mund të rri pa falenderuar Fiks Fare që e solli në vëmendje këtë fenomen. Do flasim prapë Babi, qendro i fortë!

Yt bir.