Rita Petro humb bashkëshortin, dedikim i poetes: “Me ty isha e sigurtë”

Presidenti i “Shtëpisë Botuese Albas” dhe bashkëshorti i poetes Rita Petro, Latif Ajrullai, është ndarë nga jeta. Në një postim në profilin e saj të “Facebok”, Petro i ka bërë një dedikim të ndjerë partnerit:

“PËR TY, LATO, QË NUK E LËSHOVE KURRË TIMONIN NGA DORA.

Ne ishim të dy kapitenë, por me një ndryshim. Ti kurrë nuk e lëshove timonin nga dora… unë ndonjëherë po, kur më trembte ndonjë dallgë e madhe apo kur joshesha nga viset e reja, te panjohura. Kur kthehesha, ty të gjeja aty me duart në timon. Me ty isha vetvetja…e lirë, me ty isha e sigurt.

Nuk e di se a do jem aq e qëndrueshme sa ty, pa ty… por po i jap vetes kurajë… e si të mos i jap i dashur Lato, me gjithë këto vlerësime të vërteta e dhimbje të madhe për ty, nga i gjithë stafi i Albasit e Deaprintit, nga miqtë tanë të dashur realë e virtualë, nga kolegët tanë, njerëz të librit e të kulturës. I falënderoj të gjithë nga thellësia më e thellë e shpirtit e i uroj ta mbushin jetën me dashuri e muzikë edhe kur jeta t’ju bëhet e vështirë. Kjo ishte ajo që bëmë ne për 20 vite.

Po të përcjellim Lato me jazz dhe wisky…puron që ke lënë përgjysmë do ta pi deri në fund. Se ti ishe sa profesor serioz e biznesmen vizionar, aq edhe rock-ist e rrolling stone-s.

Foto nga unë, Rovinjë, Kroaci, 2017”

Nga “Albaprint” është bërë me dije se Ajrullai është ndarë në mënyrë të papritur nga jeta, ndërsa disa media raportojnë se ai ishte prekur nga Covid-19. Ngushëllime poetes Petro dhe familjes!

/News31