Pushtimi rus në Ukrainë, kryebashkiaku i Kievit fton Papa Françeskun të vizitojë qytetin: Ja pse do shërbente

Kryetari i Bashkisë së Kievit Vitali Klitschko i ka shkruar një letër Papa Françeskut duke i kërkuar që të vizitojë qytetin, sipas zëdhënësit të Vatikanit Matteo Bruni.

Klitschko i shkroi Papa Françeskut më 8 mars, duke thënë se prania e Papës në Kiev “është thelbësore për shpëtimin e jetëve dhe hapjen e rrugës drejt paqes në qytetin tonë, vendin tonë dhe më gjerë”.

Klitschko sugjeron gjithashtu mbajtjen e një video-konference të përbashkët me Presidentin Zelensky nëse Papa nuk do të ishte në gjendje ta bënte personalisht vizitën.

Zëdhënësi i Vatikanit pranoi marrjen e letrës, por nuk tha nëse Papa do të vizitonte Kievin apo do të merrte pjesë në një video-konferencë.

Zëdhënësi tha se Ati i Shenjtë “ndien vuajtjet e qytetit dhe njerëzve në Ukrainë, si dhe të atyre që u duhej të iknin nga vendi dhe atyre që duhet te qendronin dhe të punonin në administratën e qytetit”.