“Nuk e di pse jam këtu”/ Ja çfarë tha në gjykatë 42- vjeçarja që prezantohej si police dhe mashtronte tregtarët

Elvira Lani, 42- vjeçarja që mashtroi të paktën 4 tregtarë duke u prezantuar herë si police e herë si bashkëshortja e një zyrtari të lartë Policie, është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës ditën e shtunë.

Para Gjykatës ajo u shpreh e habitur për arrestimin, duke thënë se nuk e dinte arsyen pse ndodhej aty. Lani, e dënuar më herët për të njëjtën akuzë, atë të mashtrimit, nga Gjykata e Gjirokastrës, e cila e liroi më pas me kusht, u dënua para disa ditësh nga Policia e Tiranës, gjatë operacionit të koduar “Premtuesi”.

Duke u prezantuar herë si punonjësve Policie e herë si bashkëshortja e një zyrtari të lartë të Policisë së Shtetit, 42- vjeçarja e arrestuar disa ditë më parë kishte arritur të përfitonte bizhuteri e mobilie në dyqane të ndryshme në Tiranë. Për t’i bindur menaxherët e ndonjëherë edhe pronarët e këtyre bizneseve, te disa prej të cilave ka marrë edhe mobilie për shtëpinë e saj, Elvira Lani kishte disa karta me fotografinë dhe emrin e saj, të agjencive investiguese e shoqatave të ndryshme.

Duket se në 4 raste, edhe pse u mashtruan prej saj, tregtarët nuk u bindën dhe vendosën ta denoncojnë atë në zyrat e Antikrimit Ekonomik, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Dyqane artikujsh të ndryshëm në Tiranë kanë dalë me humbje në shumë raste, pasi një grua merrte artikuj pa para, duke u prezantuar si punonjëse Policie dhe u premtonte se do të paguante më vonë. Megjithatë, pagesat nuk kryheshin asnjëherë nga 42-vjeçarja tashmë e arrestuar nga Policia, Elvira Lani.

“Prezantohej si punonjëse Policie dhe mashtronte shtetas të ndryshëm duke iu marrë shuma monetare, arrestohet në flagrancë 42-vjeçarja. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, dokumente të ndryshme, një radio e ngjashme me atë të punonjësve të Policisë dhe sende të tjera të kundërligjshme”, njoftoi zyrtarisht Policia e Tiranës.

Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, nisur nga kallëzimet e bëra nga disa pronarë dyqanesh për një shtetase që merrte produkte të ndryshme dhe nuk bënte pagesën, me pretendimin se ishte punonjëse Policie ose funksionare në institucione të ndryshme shtetërore, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Premtuesi”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasja Elvira Lani, 42 vjeçe, banuese në Tiranë.