Nevina Shtylla dhe Arjola Shehu, fati i njëjtë i shoqeve të ngushta; si i larguan nga programet pas vetëm një sezoni

Mund të themi se viti që lamë pas ishte ai më me fat për dy shoqet e ngushta të televizionit, Nevina Shtyllën dhe Arjola Shehun. Në një kohë shumë të shkurtër imazhet e reja televizive, përveç se u vendosën në “Tv Klan”, patën fatin të bëheshin për tre net partnere e showman-it Ardit Gjebrea në skenën e Palaltit të Kongreseve, ku prezantuan festivalin “Kënga Magjike 2017”. Ndërkohë publiku zbuloi se Nevina dhe Arjola ishin mikesha jashtë punës, një të vërtetë që e zbuluan gjatë rubrikës “Kam një mesazh për ty”, ku Arditi kishte përgatitur një puntatë me nënat e vajzave. Paralelisht me këtë angazhim të rëndësishëm të vitit në “Klan”, secila prej tyre duket se kishte zënë vend mirë në këtë televizion me emisionet e tyre, Nevina me prezantimin e “Jo vetëm modë” një herë në javë, dhe Arjola përditë në ekran me programin gatimit me VIP-a “Kush vjen për drake”. Por e gjitha kjo ka zgjatur vetëm një vit sezoni televiziv, pasi burime të sigurta kanë thënë për “Panorama Plus” se as njërë dhe as tjetrën nuk do t’i shohim këtë sezon të ri në programet e tyre. Për “Jo vetëm modë” ende nuk ka informacion nëse do të vazhdojë si program, ndërsa emisioni “Kush vjen për drekë” është mbyllur, duke qenë se në ekranin e “Klan” shihet shefat e kuzhinës Alfio Rrotani dhe Indrit Cela, të cilët i shohim në programin e ri veror “Bukë, kripë, zemër”. Ndërkohë që Nevinën e shohim të angazhuar në spektaklin “Maratona e këngës”, Arjola gjatë ditës së djeshme postoi një foto në Morinë të Kukësit, ku me anë të një statusi njoftonte se ishte gati për ndryshim. Mesa duket ajo është duke punuar për një projekt të ri televiziv, të cilin po e mban sekret. Para së të fillonin punë në “Klan”, Nevina drejtonte programin “Next” në “Vizion Plus”, ndërsa “Arjola “Tek unë” në “In Tv”. Po ashtu shumë kureshtje ka ngjallur jeta private e dy vajzave duke qenë se ato me fillimin të punës në televizionin e ri, fshinë nga Instagrami fotot me të dashurit, me justifikimin se nuk donin që të ngatërronin jetën profesionale me atë private, shkruan Panorama Plus.