Monica Bellucci konfirmon romancën me Tim Burton

Monica Bellucci ka konfirmuar lidhjen e saj me regjisorin Tim Burton. Aktorja 58-vjeçare italiane, në një intervistë për “Elle France” zbuloi se e dashuron 64-vjeçarin amerikan.

“Çfarë të them… Së pari, jam e lumtur që e kam njohur. Është nga ato takime që rrallë të ndodh në jetë. E dashuroj si njeri dhe tani do ta njoh edhe si regjisor”, tha Bellucci, e cila do të interpretojë në filmin “Beetlejuice 2” të Burton.

Dyshja aktualisht janë duke punuar së bashku për këtë film dhe tashmë kanë nisur xhirimet në Londër. Edhe pse të dy janë takuar për herë të parë në Kanë në vitin 2006, fati i bashkoi shkurtin e këtij viti muaj kur edhe dolën thashethemet e para për romancë mes tyre.

Bellucci u nda nga bashkëshorti Vincent Cassel në gusht të vitit 2013. Ish-çifti, i cili u martua në vitin 1999, janë prindër të dy vajzave. Ndërkohë, Burton ka pasur më parë një lidhje afatgjatë me Helena Carter, nga viti 2001 deri në vitin 2014. Ata kanë dy fëmijë së bashku.

Klan News