Mësuesja në Memaliaj RRIHET nga tezja e nxënëses

Një mësuese është dhunuar sot brenda në ambientet e shkollës 9 vjeçare “Nimete Progonati” , në qytetin e Memaliajt.

Mësohet se mësuesja është dhunuar nga tezja e një fëmije, ku shkak për këtë është bërë pretendimi për bullizim të nxënëses në klasën e 3-të prej mësueses me iniciale M.H.

Tezja kishte shkuar që të merrte mbesën nga shkolla, të cilën e gjen duke qarë, ndërsa nxënësja i pohoi tezes se mësuesja e kishte qëlluar dhe bullizuar gjatë orës së mësimit.Pas kësaj shtetasja S .K takohet më mësuesen në fjalë dhe debati mes tyre degjeneron deri në përdorimin e dhunës.

Në këtë moment kanë ndërhyrë kolegët për të qetësuar situatën, ndërsa mësuesja ka shkuar në Polici ku ka denoncuar shtetasen S. K. për dhunë për shkak të detyrës.

Njoftimi i Policisë:

Memaliaj

Dhunoi fizikisht një shtetase (mësuese), procedohet penalisht 41-vjeçarja. Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen S. K., 41 vjeçe, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.

Ditën e sotme, në ambientet e shkollës 9-vjeçare Memaliaj, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, 41-vjeçarja (familjare e një nxënëseje) ka dhunuar fizikisht një mësuese në këtë shkollë. Materialet procedurale në ngarkim të shtetases S. K. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.