Mesi: Do të tërhiqem shumë shpejt nga futbolli

Ylli argjentinas Lionel Mesi së bashku me ish-bashkëlojtarin e tij në skuadrën argjentinase Ezekiel Laveci kanë qenë të ftuar në emisionin “Conmebol”. Në një kohë ku të gjithë tifozët blaugrana kërkojnë rikthimin e tij tek Barcelona, Mesi ka folur për tërheqjen e tij nga futbolli.

“Unë e dua futbollin, më pëlqen ta luaj dhe e vetmja gjë që kam bërë gjatë gjithë jetës sime është të luaj futboll. Nuk mendoj se do të vazhdoj të luaj më shumë, por jam i sigurt që çdo gjë që do të bëj më vonë do të ketë lidhje me futbollin”, i tha ai Lavecit, pa zbuluar se kur ka ndërmend të tërhiqet.

I pyetur nga ish-sulmuesi i Napolit nëse do ta shohim ndonjëherë të luajë për ndonjë klub në Argjentinë, Mesi u shpreh se nuk i dihet asnjëherë.

“Nuk e di, ndodhin kaq shumë gjëra… Ishte një ëndërr. Kur isha fëmijë ëndërroja të luaja për ndonjë klub argjentinas, por sot varet nga shumë gjëra. Unë kam familjen time, tre fëmijët, thjesht pata një ndryshim shumë të madh në jetën time që më kushtoi shumë mua dhe gjithë familjes sime. Sot e kalova dhe ndihemi spektakolare. Sot shijoj një qytet që më duket i bukur. Viti i parë ishte një ndryshim i madh dhe u desh shumë kohë. Më mohuan gjithçka sepse ishte një vendim që erdhi papritur”, u shpreh Lionel Mesi.