“Më vjen keq për shokun, jo për burgun që do bëj”, Marjus Dema qan para policëve pas vrasjes te “5 Maji”: I kam qejf armët…

28-vjeçari Marjus Dema, i cili vrau me armë mbrëmë në Tiranë shokun e tij, Mehmet Qemën, është shfaqur i penduar përpara punonjësve të Policisë, në lidhje me atë që kishte ndodhur një natë më parë, pas një konsumi bisede mes miqsh.

Dema është shprehur se nuk e dinte që arma ishte e mbushur në momentin që ia ka drejtuar Qemës, ndërsa duke qarë me ngashërim, ai ka thënë se më shumë i vinte keq për shokun që vrau se për burgun që do të bëjë.

“Armën në tavolinë e solli Mehmeti, na tha se e kishte gjetur në rrugë. Arma ishte pa karikatorë dhe e vjetër. Unë e mora pasi i kam qejf armët dhe po luaja me të e po ua drejtoja shokëve, sepse e konsideroja të padëmshme.

Nuk e dija se kishte plumb brenda. Pas krimit u trondita shumë nuk e mbaj mend ku e lashë armën. Më shumë më vjen keq për mikun që humba, sesa për burgun që do të vuaj”, ka thënë 28-vjeçari në polici.

Krahas Demës, në polici është dorëzuar edhe Frenkli Myftari, i cili ndodhej mbrëmë në të njëjtën tavolinë me të tjerët kur Demaj qëlloi ndaj Qemës. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkime dhe Erlind Pekën, Bralind Agajn, Blerim Hotin dhe Xhuliano Koçin.

Të gjitha ata njiheshin edhe si “Banda e 5Majit” dhe kishin njohje me mjaft reperë të njohur në vend duke u bërë pjesë e klipeve të tyre.

Ndërkohë, ditën e sotme Dema është rikthyer bashkë me policinë në vendin e ngjarjes, saktësisht në rrugën ‘5 Maji’ për të zbërthyer për autoritetet ngjarjen e rëndë. Dyshohet se të rinjtë kishin dhe aktivitet në fushën e prodhimit të monedhave dixhitale, të njohura ndryshe dhe si bitcoin.