Luiza Gega thyen rekord të ri kombëtar, atletja shqiptare shkëlqen në Francë

Atletja shqiptare, Luiza Gega vijon të shkëlqejë në turnetë ndërkombëtarë. Kampionia kuqezi ka vendosur sot një rekord të ri kombëtar në garën e 5 km rrugë. Gega fiksoi kohën 15 minuta e 16 sekonda në eventin prestigjioz “Semi Marathon” që u mbajt në Lille të Francës.

Gega përmirësoi kohën e saj me 23 sekonda, pasi më herët në gjysmë maratonën e 5 kilometrave shënonte 15:39. Për vetëm 2 sekonda, shqiptarja do kishte mundur të thyente edhe rekordin ballkanik të kësaj kategorie. Me kohën 15:16 Gega u rendit në vend të shtatë në Lille, por vlen për t’u theksuar se ky rezultat ishte më i miri i arritur nga sportistet evropiane në një aktivitet që pa të konkurronin atletet më të mira të botës.

Vendi i parë në Lilë i takoi kenianes Caroline Nayaga me rezultatin 14:35, ndërsa podiumi u plotësua nga etiopiania Mekedis Abebe dhe keniania tjetër Doris Lengole Cherop.

Luiza Gega ka plot 12 rekorde kombëtare që mbajnë firmën e Luiza Gegës në disiplina të ndryshme të atletikës, duke nisur nga distancat e mesme deri te të gjatat (800m, 1500m, 2000m/p, 3000m, 3000m/p, 5000m, 10000m, gjysmë maratonë, maratonë, 800m “indoor”, 1500m “indoor”, 3000m “indoor”).