Letargjia e golit / Inter-Milan s’është thjeshtë një gjysmëfinale, Kupa dhe titulli varen nga… zgjimi

Pranverë e mallkuar. Le targjia nuk ka mbaruar ende. Kush do të zgjohet i pari, mbase do të fitojë derbin dhe titullin. Inter-Milan nuk është thjeshtë një gjysmëfinale në Kupën e Italisë. Është një sulm ndaj pushtetit me pushtetin e sulmuesve në rënie të dukshme.

Nëntë bomber kërkojnë golat për të shuar etjen e dy ekipeve që duken në “agjërim” kur bëhet fjalë për fazën realizuese. Me 16 gola në total mes kampionatit e Kupave në vitin 2022, duket sikur Milani e vuan më shumë mungesën e vazhdimësisë së sulmuesve (Ibrahimoviç, Zhiru, Leao e Rebiç) ndërkohë që e njëjta katërshe kishte shënuar 18 herë nga shtatori në dhjetor.

Kur bëhet fjale për rënie, atëherë duhet parë në ekipin e Simone Inzagit. Bomberat zikaltër(Xheko, Lautaro, Sançez, Korrea dhe Kaisedo) kanë shënuar 17 herë në këtë vit kalendarik, ndërkohë që nga fillimi i sezonit në dhjetor e kishin dërguar 26 herë topin në rrjetë.

BOMBERI I VITIT – Me 7 gola të shënuar, Zhiru është golashënuesi më i mirë i vitit 2022, ndër 8 sulmuesit mes Milanit dhe Interit. Por edhe ai e ngadalësoi ritmin në pranverë: vetëm një gol në 10 ndeshjet e fundit, ai kundër Napolit më 6 mars.

E njëjta gjë vlen për Leaon, i cili u rikthye për t’u gëzuar të premten ndaj Xhenoas, pas gjashtë paraqitjesh “agjërim”. Dhe pastaj janë rastet Ibrahimoviç dhe Rebiç: suedezi, për shkak dëmtimeve të shumta, shënoi vetëm një herë në vitin 2022, dhe ka tre muaj e gjysmë pa shënuar. Gjithashtu për këtë arsye Milani ngadalëson rrezikshëm në renditje.

Ekipin nuk e ndihmojnë as paraqitjet e dobëta të Rebiçit (vetëm një gol në vitin e ri). Situata bëhet pak më e mirë vetëm po të shtojmë në kategorinë sulmuese Mesiasin (tre gola në 2022-shin).

“BUKUROSHËT E FJETUR” – Në derbin e “Bukuroshëve të Fjetur”, edhe Xheko do të tentojë të zgjohet: 17 gola në sezon, por vetëm gjashtë në vitin 2022. Diskutim i ngjashëm për “binjakun” e tij ofensiv, Lautaro Martinez, i cili në pak minuta palosi Specian të premten e kaluar.

Derbi është momenti që argjentinasi të dëshmojë se ka dalë nga letargjia e gjatë: 17 gola këtë sezon, vetëm 6 në 2022- shin, teksa ka shënuar 5 herë në 16 paraqitjet e fundit.

Korrea nuk ka shënuar kurrë në këtë 2022, për shkak dëmtimeve të shumta. Për pjesën tjetër, Kaisedo nuk ka shënuar ende për zikaltrit, ndërsa Aleksis Sançez është i vetmi që ka përmirësuar rezultatin e tij në vitin e ri, me 5 nga 8 golat e shënuar në muajt e fundit. Por, nuk thonë kotë pranvera nuk vjen me vetëm një dallëndyshe.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL