“Kam dashur të bëhem nënë, ëndërroja të kisha 4 fëmijë”, rrëfimi i jashtëzakonshëm i Motër Mirës

Motër Mira, murgeshë në Sukth, shprehet se kur ka qenë e re ka ëndërruar të bëhet nënë, madje ka dashur 4 fëmijë. Gjithsesi, ajo rrëfen për “Real People” në Euronews Albania se këtë ndjesi e ka përjetuar edhe gjatë kohës që ka qenë murgeshë, se i pëlqejnë shumë fëmijët.

Një ndjesi kjo, që jo kushdo nga murgeshat guxon të shprehet hapur. Gjithsesi, motër Mira shprehet se nënë mund të jesh në forma të ndryshme, dhe puna e saj me fëmijët e shkollave apo të kopshteve, ja ka plotësuar asaj atë çka i mungon.

“Kam pasur momente që e kam menduar edhe kur kam qenë murgeshë, sikur të isha martuar me një person apo me një tjetër, në momente reflektimi në jetë. Por momentet e reflektimit të bëjnë të futesh më thellë për të kërkuar motivin. Unë kam pasur planin të bëja katër fëmijë, dy vajza e dy djem.

Gjithmonë kam pasur planin që nuk doja një djalë të pasur por ti ndërtonin gjërat së bashku, vetëm të kishim harmoni. Këto plane u rrëzuan por nuk më kanë krijuar trishtim. Kam pasur momente që kam ndier, sikur ta kisha një fëmijë.

Kur kam përqafuar ndonjë fëmijë kam thënë me vete “sikur të ishte i imi”, është një ndjenjë shumë e mirë. Por unë punoj çdo ditë me fëmijë në kopsht, njeriu bëhet nënë edhe nëpërmjet edukimit. Unë përjetoj amësinë shpirtërore”,-tha motër Mira.

Ndër të tjera ajo ka rrëfyer se sa e vështirë ka qenë për familjen e saj ta pranojnë se ajo do të bëhej murgeshë.

“Kanë kërkuar në të gjitha mënyrat me m’martu”, thotë ajo duke qeshur, “me m’fut dikënd, të më bënin të lidhesha, të flas. Në vit të dytë kur isha në gjimnaz kam patu rnjë djalë që më ardh mbrapa dhe kanë dërguar njerëz të më kërkojnë dorën. Por unë atëherë nuk e dija çfarë ishte Krishti, jetën time ia dedikova atij më mbrapa. Disa njerëz Zoti i zgjedh në mënyrë të veçantë për një rrugë tjetër. Kur unë mora vesh që ky Krisht, që ky Zot kishte dhënë jetën për mua, nuk munda të qëndroj indiferente. Për mua ishte diçka shumë më e fortë, Kjo ka ndodhur që në vitin 1996”, rrëfeu ajo.

living.al