“Është kryevlerë njerëzore”, Selami Xhepa për mirënjohjen: Nuk duhet të na komprometojë gjatë jetës

“Në sistemin e vlerave të njeriut, mirënjohja qëndron në krye të piramidës së vlerave njerëzore dhe pa asnjë dyshim kur mirënjohja bëhet për qëllime fisnike”, është shprehur pedagogu Selami Xhepa në lidhje me temën e ditës së sotme në “Aldo Morning Show”, në Tv Klan.

Ai ka shtuar se për të mirënjohja është kryevlerë njerëzore, por asnjëherë nuk duhet që për hir të saj të bëjmë zgjedhje që bien ndesh me vlerat e tjera njerëzore.

Aldo: Nëse dikush ju ka bërë një nder dhe ju natyrisht i jeni mirënjohës për të, a duhet të jeni borxhli gjithë jetën, apo ka një limit?

Selami Xhepa: Jo, nuk ka asnjë limit për sa kohë kjo nuk bie ndesh me vlerat e tjera njerëzore, nëse kjo nuk bie ndesh me ndershmërinë tuaj, sigurisht që ne nuk mund ta humbasim kurrë mirënjohjen. Mirënjohja duhet të na shoqërojë gjithë jetën, deri në momentin që për hir të mirënjohjes ne jemi të detyruar të bëjmë zgjedhje që bien ndesh me vlera të tjera tonat që janë po kaq të rëndësishme, me ndershmërinë intelektuale për shembull. Nëse dikush ju ka bërë një nder dhe në një moment të caktuar të jetës jeni të detyruar të merrni një vendim në raport, po me atë individ që ka bërë një mirësi ndaj jush, por që kjo mund të cenoje integritetin e vlerave të tjera tuaja, siç mund të jetë, ndershmëria shkencore, akademike, apo vlera të tjera njerëzore atëherë mendoj se këtu njeriu duhet të ndiej veten të çliruar nga ajo ndjenja e borxhit. Ndjenja e mirënjohjes për mua mbetet përsëri, por kjo nuk duhet të na komprometojë gjatë jetës./tvklan.al