EMRI| Sekuestrohet pasuria 6 mln euro e biznesmenit shqiptar në Itali

Guardia di Finanza, gjatë një operacioni blitz në Breshia, ka sekuestruar pasuritë me vlerë rreth 6 milionë euro të një biznesmeni të njohur shqiptar.

Mediat italiane shkruajnë se bëhet fjalë për sipërmarrësin shqiptar, Gëzim Sallaku, i cili në të kaluarën kishte qenë edhe president i klubit të futbollit Darfo.

Sekuestrimi u urdhërua pas hetimeve komplekse të natyrës ekonomike, pasurore dhe të të ardhurave që zbuluan një disproporcion të konsiderueshëm midis standardit të jetesës së Sallakut dhe të ardhurave të deklaruara nga ai në organet tatimore.

Në të njëjtën kohë, policia gjyqësore ka kryer kontrolle në disa banesa pas dyshimeve për transferim të paligjshëm vlerash monetare. Nën hetim janë edhe 69 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash, ku dyshohet si i përfshirë edhe biznesmeni shqiptar.