Charlize Theron rrëfen mbrëmjen kur nëna e saj qëlloi për vdekje të atin: Nuk kam turp ta tregoj

Charlize Theron ka vendosur të rrëfejë publikisht mbrëmjen më të errët në jetën e saj, kur e ëma i qëlloi për vdekje të atin për t’u mbrojtur. Në një intervistë për “NPR” ajo ka treguar se babai i saj, Charles Theron, një natë në qershor të 1991 kishte kërcënuar atë dhe nënën e saj, pasi ishte kthyer i dehur në shtëpi. “Babai im ishte aq i pirë sa nuk mundej as të ecte kur erdhi në shtëpi me një pistoletë. Nëna ime dhe unë ishim në dhomën time duke qëndruar pas derës, pasi ai po tentonte të hapte derën e të futej brenda. Ai u kthye mbrapa dhe qëlloi tre herë nga dera. Asnjë nga plumbat nuk na qëlloi ne të dyjave, që është thjesht një mrekulli!”, ka thënë Charlize. Më pas ajo ka treguar se për të mbrojtur atë dhe veten, nëna e saj qëlloi për vdekje babain dhe prandaj as nuk u dënua nga gjykata.

Charlize ka treguar se kjo ngjarje ka pasur një impakt shumë të madh në jetën e saj dhe prandaj e tregon për gjithë të tjerët. “Nuk kam turp të flas për këtë histori, sepse mendoj se sa më shumë të flasim për këto gjëra, aq më shumë kuptojmë se nuk jemi vetëm”, është shprehur Theron. Më pas ajo ka shtuar se babai i saj ishte një njeri i sëmurë dhe se gjithë jetën e mban mend si të alkoolizuar. “Mendoj se familja jonë nuk ishte e shëndetshme. Dhe gjithë ajo situatë mendoj se na trembte. Sigurisht do të doja që ajo që ndodhi atë mbrëmje të mos kishte ndodhur kurrë”, ka thënë aktorja. Charlize nuk e ka pasur asnjëherë problem të flasë për këtë çështje dhe gjithmonë është shprehur krenare për nënën e saj, që e ka mësuar të jetë e fortë dhe e guximshme. /revistawho.com