Burri i Delinda Dishës zbulon detaje nga martesa, në punë dhe në jetë me aktoren

Pak kohë më parë u zbulua se pjesë e programit të ri “Klanifornia” të shtunave në “Tv Klan” do të ishte edhe aktorja e “Portokallisë”, Delinda Disha. Pasi u publikua spoti promocional i emisionit, pritshmëritë e publikut u rritën akoma më shumë, ndërkohë që aktorja e njohur zbuloi pak nga pamjet e skenës së re me anë të disa publikimeve në “Instagram”.

Ishte pikërisht Delinda, ajo që u lakua më shumë në këtë show pas largimit nga “Portokallia”, largim që moderatori Salsano Rrapi e komentoi si “ikje fshehtas”. Më pas u zbulua dhe arsyeja që aktorja e disa roleve në ‘Portokalli” ndryshoi program për faktin se skenografi i “Klanifornisë” ishte bashkëshorti i saj, Eldo Disha.

Këto lajme i konfirmoi vetë Delinda në një postim në “Instagram”, duke zbuluar se Eldo nuk është aktor, por kostumograf dhe do të bashkëpunojë me “Klanifornia” pikërisht në këtë pozicion. “Shihemi në ‘Klanifornia’. Super kostume”, shkruante aktorja në foto. Po çfarë ka rrëfyer Delinda Disha për bashkëshortin e saj artist: “Eldo është gjysma ime. Në çdo krijim timin më qëndron afër, më sugjeron, më kritikon”, citohet të jetë shprehur ajo në intervistën e fundit për “Panorama Plus”.

Del-2

Dhe rrëfimin për marrëdhënien e tyre si bashkëpunëtorë në punë dhe partnerë në jetë, tashmë edhe si prindër të një djali, Delinda dhe Eldo e kanë rrëfyer në programin e Orinda Hutës “Jo vetëm modë”.

Ajo, një aktore e talentuar, ndërsa Eldo një kostumograf i aftë. Çifti zbulon për emisionin “Jo vetëm modë” në “Tv Klan” si është të punojnë me njëritjetrin. ”Kemi bashkëpunuar dhe më përpara, ku jemi njohur të dy”, tha Eldo në fillim të intervistës.

Ndërsa Delinda, duke folur për suprizat që priten në javët në vazhdim si protagoniste e këtij show, u shpreh: “Do vij pa dyshim me karaktere të reja, pse jo dhe me imitime. Edhe aktorë të tjerë do të kenë imitime, edhe ato do kenë impakt shumë të mirë te publiku. Të gjithë aktorët do të kenë personazhe të ndryshme, do ketë larmishmëri, do ketë tematika të ndryshme. Çdo aktor do përpiqet të sjellë mesazhe nga jeta sociale.

Del-3

Po me Eldon, çfarë ndodh pas kuintave?

“Ne kemi bashkëpunuar me Eldon, kemi qenë në shfaqje. Me këtë rast, diskutimet që i bënim në shtëpi, nuk do të bëhen në shtëpi, do zhvendosen në punë dhe ambienti do të jetë në skenë dhe në studiot e ‘Klanifornia’.

Nga ana tjetër, Delinda thotë se Eldo e ndihmon edhe duke i shkruar tekstet. “Eldo, përveçse më mbështet, shumë nga tekstet e mia i shkruan ai. Sepse ndodh që aktori bllokohet, qoftë edhe tema të ndryshme, qoftë edhe ide. Përveçse konsulent, e kam edhe një ndihmës të jashtëzakonshëm. Eldo një natyrë praktike, unë jam shumë emocionale. Në rrethet artistike është shumë mirë kur ti bashkëpunon jo vetëm me bashkëshortin, por edhe me një mik”, shprehet ajo.

Sa i përket marrëdhënies në çift, Eldo tregon se mes tyre nuk mungojnë as zënkat, siç ndodh në të gjitha çiftet. “Të bëjmë sikur jemi çifti më i përkryer, nuk bëjmë dot! Ka përplasje, por janë shumë normale. Janë nga ato lloj përplasjesh që janë të pranueshme dhe janë të nevojshme për një marrëdhënie në çift. S’kam komplekse pse jam në një marrëdhënie pune me bashkëshorten”, thotë ai.

Ndërkohë, duket se me tekstet e Eldos, aktorja ka arritur të bëjë bujë që në fillim të show-t. Aktorja Delinda Disha ka reaguar pas gjithë kritikave që mori pak ditë më parë për rolin e saj si Shote Galica në emisionin “Klanifornia”.

Del-1

Delinda portretizoi rolin e Shote Galicës dhe një ndër batutat e saj që s’u prit aspak mirë ishte kjo: “Ku i kam ata burrat e Kosovës që ndihen vetëm nëpër dasma. Ani çfarë i keni bërë serbit juve, vetëm i keni thurur këngë edhe lavde!” Kaq mjaftoi që të gjithë të shpërthenin në komente dhe t’i kërkonin Delindës të kërkojë falje publike për fyrjen e shqiptarëve të Kosovës, që kanë luftuar serbët në luftë.

Por Delinda nuk ka pritur më gjatë. Ajo reagoi përmes një postimi, duke sqaruar se skeçi i saj lidhej me një udhëtim që kishte bërë drejt Krujës, ku kishte parë varrin e heroinës në gjendje të mjerueshme. “Zgjodha nëpërmjet interpretimit të bëj një thirrje për të gjithë politikanët, të cilët nuk vënë dorë për heronjtë dhe heroinat, ndërkohë ngrenë memoriale për turqit, grekët etj.”, shkruante ndër të tjera Delinda.

Një “përplasje” virtuale për këtë rol, ajo pati edhe me prezantuesen e “Prive”, Liberta Spahiun, e cila bëri një status shumë të ashpër, që u pasua nga kundërpërgjigjja e Delindës. Ajo madje publikoi edhe një foto të varrit të Shote Galicës, ndërsa u bën thirrje të gjithëve t’i kërkojnë falje publikisht “që kërkoi dy pllaka mermer për të restauruar varrin e Shote Galicës”.