Avokati i mjekut Dervish Hasi: 14-vjeçarja i dërgonte zemra dhe kukulla, sfidoj çdo mashkull nëse do rezistonte

Marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur 14-vjeçare çoi prapa hekurave kardiokirurgun e “Senatoriumit”, Dervish Hasi 42 vjeç, edhe pse ky i fundit ka deklaruar se vajzën e kishte gruan e tij të katërt sipas fesë islame.

Avokati i tij, Roland Islami, i ftuar në emisionin Opinion, ka treguar edhe se si janë njohur kardiokirurgu dhe vajza 14-vjeçare.

“14-vjeçarja ka pasur një të afërme të vetën në spital dhe atje i ka marrë numrin doktorit. Pas disa kohësh ka vazhduar t’i shkruante doktorit, i çonte zemra, kukulla duke përdorur WhatsAppin e vetë. Doktori e ka refuzuar fillimisht.

Ajo i ka shkruar. Dhe pastaj ka rënë duke krijuar një lidhje por gjithmonë pa asnjë trysni edhe me pëlqimin e prindërve. 1 vit komunikim me një femër, e sfidoj mashkullin më të mirë dhe të mos bjerë në këtë”, u shpreh avokati.

Avokati i Dervish Hasit insistoi se mjeku 42-vjeçar nuk ka bërë asnjë shkelje të Kodit Penal, por vetëm atë moral.

Sipas avokatit, mjeku Dervish Hasi nuk ka bërë shkelje ligji pasi sipas tij marrëdhënie seksuale me të mitur lejohej mbi 14 vjeç.

“Ka pasur një marrëdhënie me vajzën 16-vjeçare që është sot. Në Kodin Penal nuk ndalohet kryerja e marrëdhënies seksuale nga 14 vjeç e sipër, neni 100 i Kodit Penal thotë kryerja e marrëdhënieve seksuale me të mitura deri në moshën 14 vjeç është vepër penale. Ky ndryshim ka ndodhur në vitin 2017, pasi ka qenë 16 vjeç dhe e kanë ulur moshën 14 vjeç.

Ka shkelur kodin moral. Kod Penal nuk ka cënuar. Ai ka vetëm 1 grua. Ka bashkëjetesë, kodi i familjes e njeh bashkëjetesën. Në aspektin moral nuk është i pari dhe i fundit që ka pasur marrëdhënie jashtëmartesore. Shkelje të ligjit penal, e sfidoj këdo, sepse për akuzën konkrete, është akuzë tërësisht e pabazuar, por trafikim do të thotë të përfitosh”, u shpreh ai.

Avokati i kardiokirurgut Dervish Hasi thotë se ndaj tij nuk u bë kallëzim nga babai i vajzës, por sipas tij çështja është keqpërdorur dhe e qëllimtë nga policia pasi i ati është thirrur nga autoritetet për të bërë denoncim.

“Klienti im është një nga kirurgët më të mirë të operacioneve të zemrës dhe mushkërisë bashkë. Disa herë ndaj këtij personi është bërë e mundur përhapja e akuzave. Kallëzimi i parë ndaj këtij personi filloi me akuzën për trafik armësh dhe ajo akuzë ka ngelur në sirtare. Dervish Hasi nuk është treguar i kujdesshëm me jetën e tij private. Është keqpërdorur nga Policia e Shtetit, Komisariati Nr.,1 që e ka thirrur babain e vajzës. Nuk është një kallëzim, po flasim për një person i cili është një mjek dhe ndaj këtij mjeku po bëhen akuza të pavërteta”, tha ai.

gazetatema.net