Vlora Polia, çika e Thethit që na frymëzon çdo ditë

Janari e gjeti One Telecommunications në Theth, për të njohur një histori të jashtëzakonshme dhe shumë frymëzuese. Mes natyrës fantastike dhe ajrit të pastër, ne vizituam bujtinën “Polia” dhe Vlorën, një sipërmarrëse, nënë dhe grua shumë të përkushtuar, e cila ka arritur ekuilibrin e duhur mes jetës personale dhe asaj private.

Si ia del Vlora të shkëlqejë në çdo aspekt? E zbuloni në rreshtat e mëposhtëm:

Vlora, ti vjen nga Kosova, ke emrin e një qyteti jugor, jeton në Shkodër dhe ke një bujtinë në Theth. Sigurisht, historia jote duket tejet interesante, ndaj duam të dimë më shumë rreth saj.

Jua rrëfej me shumë kënaqësi! Unë vij nga Kosova dhe prej vitesh kam jetuar në Spanjë. Në vitin 2009, së bashku me miket e mia, dëshironim të ndërmerrnim një udhëtim në veri të Shqipërisë, saktësisht në Theth. Mes gjithë vështirësive të rrugës dhe terrenit të vështirë, më në fund, mbërritëm. Është e tepërt të them se peizazhet të linin pa frymë, ajri i pastër, mirësjellja dhe mikpritja e banorëve më impresionuan dhe më bën të ndihem si në shtëpi.

Pse ke zgjedhur pikërisht Thethin? Çfarë të pëlqen nga ky vend?

Së pari, sepse këtu jetoj e lumtur me bashkëshortin tim. Në Theth kam gjetur dashurinë, pa e kërkuar fare. Thjesht erdha për një vizitë dhe mbeta këtu, sepse kështu zgjodhi zemra ime. Unë erdha në bujtinë, u takova me bashkëshortin tim dhe nuk u largova më, duke ndërtuar familjen time në këtë vend kaq special.

Sigurisht, edhe familja e bashkëshortit tim ka qenë mjaft mikpritëse dhe e dashur me mua, duke më dhuruar ngrohtësinë që më duhej. Kjo ma bëri edhe më të thjeshtë përshtatjen dhe më motivoi më shumë. U jam shumë mirënjohëse sepse falë tyre, çdo ditë e imja është më e bukur, kam kujtime të paharrueshme dhe fëmijët e mi rriten me dashurinë dhe përkujdesin e të afërmve. Kjo ma ngroh zemrën dhe më shton lumturinë.

Si e nisët bujtinën?

Në fakt, bujtinën e gjeta gati. Unë erdha si kliente, për t’u kthyer në sipërmarrësen e saj. Bujtina ishte e ngrohtë, familjare, tradicionale, mikpritëse dhe shumë e dashur, ndaj jemi përpjekur të gjithë së bashku t’i ruajmë të paprekura këto ndjesi.

Cilat janë disa nga sfidat dhe kënaqësitë që të sjell puna në bujtinë?

Duhet thënë se sfidat kanë qenë të shumta, duke nisur që nga infrastruktura, lidhja dhe komunikimi me të tjerët, kushtet atmosferike, dëshira për të ruajtur origjinalitetin dhe standardin që dëshironim, incidenti që solli djegien e bujtinës dhe ringritja e saj. Na u desh shumë kohë, mund dhe djersë t’i jepnim asaj pamjen dhe komoditetin që ka sot. Por, edhe kënaqësitë nuk janë të rralla, përkundrazi, nëse i peshoj, ato dominojnë. Një prej tyre është se njihem çdo ditë me njerëz të rinj, vizitorë që vijnë nga vende dhe kultura të tjera. Ata ndryshojnë totalisht nga njëri-tjetri, por bashkohen në një pikë: duan gjithmonë të dinë si funksionon jeta në bujtinë, çfarë ndodh në Theth; dëshirojnë të provojnë çdo pjatë dhe pije dhe gjithmonë largohen me dashuri për vendin tonë.

Si e menaxhon kohën mes roleve të tua si drejtuese e bujtinës, kohës personale dhe mirëmbajtjes së familjes/ shtëpisë?

Kur ke vullnet dhe e do punën që bën, është pakëz më e lehtë. Sigurisht, edhe me ndihmën e bashkëshortit dhe familjes së tij mund të arrij t’i bëj të gjitha.

Cila është forca që të shtyn të jesh në krye të sipërmarrjeve të jetës tënde?

Forca që më shtyn të jem në krye të sipërmarrjes, pa dyshim është bashkëshorti dhe fëmijët e mi.

Rishtazi, të kemi parë në fushatën “Unë jam One” nga One Telecommunications. Si lindi ky bashkëpunim dhe si mund të na e përshkruash si eksperiencë?

One Telecommunications nuk ishte një emër i padëgjuar për mua, përkundrazi. Bujtina ime qëndron e lidhur me HomeNet dhe rrjetin One, ndaj e mirëprita me shumë kënaqësi ftesën e tyre për të realizuar fushatën “Unë jam One”, e cila tashmë është edhe në transmetim. Ishte një përvojë shumë e bukur, por edhe e lodhshme dhe shumë impenjative. Por, ia vlenin për rezultatin.

Çfarë do të doje të ndryshoje në rrugëtimin tënd në të shkuarën, apo edhe në të tashmen?

Të kaluarën nuk mund ta ndryshosh, por unë jam plotësisht e kënaqur dhe e përmbushur me vendimin që kam marrrë, së pari, që e vizitova Thethin dhe më pas, që vendosa të jetoj të tashmen në çdo sekondë të saj, me një moto: “Carpe diem”.

Cili është shembulli që dëshiron të japësh ti te gratë e tjera në komunitetin tënd apo edhe më gjerë?

Do të doja të jepja shembullin e një gruaje që kur do diçka, e arrin atë, pa marrë parasysh vendin dhe kohën. Me punë dhe vullnet mund të arrihen të gjitha.