Vajza e Niko Peleshit për Besa Shahinin: “Nuk na nxit opozita, mos na trajtoni si brez eksperimental”

Ditën e djeshme, maturantët protestuan para Ministrisë së Arsimit lidhur me vështirësinë e tezës së provimit. Nga pyetjet abstrakte, e deri tek pjesë që sipas nxënësve nuk ishin studiuar, ankesat e maturantëve nuk kanë qenë të pakta.

Lidhur me këtë, Ministrja e Arsimit, Besa Shahini është shprehur se kjo protestë nxitet nga opozita. Një reagim për deklaratën e Shahinit ka patur vajza e Niko Peleshit, njëkohësisht maturante e këtij viti. Aleksia, nëpërmjet një shkrimi të publikuar në InstaStory, ka theksuar se është e lehtë që kjo të trajtohet si çështje politike, edhe pse ngritja e maturantëve nuk ishte aspak lëvizje opozitare.

Ajo ka thënë se nxënësit po kërkojnë të mos trajtohen si brez eksperimental, si dhe të merret parasysh se ky vit shkollor ka qenë mjaft i vështirë për ta. Tërmetet dhe pandemia kanë sjellë shkëputjen e vazhdueshme të nxënësve, por edhe mësuesve nga shkolla.

Reagimi i plotë

E nderuar znj. Ministre, pasi lexova përgjigjen tuaj, me lejoni t’ju siguroj se revolta e maturantëve nuk është një lëvizje opozitare. Është e lehtë që të trajtohet si çështje politike dhe të injorohet sepse shihet si një justifikim me tepër i opozitës për t’u hedhur në sulm. Por nuk behet fjalë për ketë. Nëse ne po protestojmë sot, nuk na ka nxitur askush përveç mundit tonë tre vjeçar për të arritur synime të larta, që po na hidhet poshtë nga një provim i hartuar ne një mënyrë aspak dinjitoze që po penalizon jo 5, 10 apo 100 maturante, por 30 mijë.

30 mijë maturantë që kemi kaluar një vit shkollor plot peripeci, duke filluar nga tërmeti deri te pandemia. Një vit ku, si ne, si mësuesit tanë, ndryshe nga çdo brez i mëparshëm, jemi shkëputur vazhdimisht nga shkolla, jemi përballur me situata tronditëse e për muaj me radhe s’kemi pasur askënd te koka veç vullnetit qo na nevojitej për të bëre me të mirën në katër provime që janë vendimtare për të ardhmen tonë.

Logjikisht shpresonim që, shumica e shteteve evropiane, provimet e maturës të na anuloheshin dhe notat të na llogariteshin me mesatare, por edhe pse kjo nuk ndodhi, nuk bëmë zë dhe vazhduam përgatitjen me sforco. Na u tha se do të kishte lehtësime, ndërkohë na u dyfishua numri i pyetjeve, na u shkurtua afati kohor dhe na u ngushtua kufiri i pikëve midis notave. E megjithatë, përsëri nuk bëmë zë.

Por kur në fund na jepet një provim i një niveli vështirësie të pajustifikuar edhe në një situate normale, jashtë programit të cilit kemi punuar, me pyetje të formuluara në mënyrë absurde dhe me alternativa përgjigjesh tejet subjektive, atëhere nuk mund të qendrojmë më pa bërë zë. Jo, nuk po protestojmë thjesht për “provimet e vështira”, po protestojmë sepse ndihemi sikur po talleni me djersen tonë. Një notë e ulët provimi për hartuesit e tezave tona, (që meqë ra fjala, ende s’na e kanë shuar kureshtjen se çfarë bëri Turi me barkën), mund të mos jetë asgjë, por për në është një derë më shumë e mbyllur.

Një dere që nuk na e hapin dot me as opozitaret e as forumet politike. Nuk po kërkojmë as notat e as diplomat false të qeverisë së mëparshme, po kërkojmë vetëm të mos trajtohemi si brez eksperimental kur në lojë është e ardhmja jonë. Uroj që dy provimet në vijim, të paktën, mos të rezultojnë në studentë të dëshpëruar për tre vite arsimi të hedhura në kosh.

Nga maturantja: Aleksia Peleshi.

Burimi: NewsBomb