U dhunua dhe u hodh nga pallati në Tiranë, ndërron jetë 22-vjeçarja keniane!

22-vjeçarja keniane, Joy Ayoko, që u dhunua barbarisht në Tiranë disa muaj më parë, ka ndërruar jetë. Burime pranë “News24” bëjnë me dije se nëna e saj Ruth Abongo ka konfirmuar se 22-vjeçarja ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spitalin “Kenniata” në Kenia.

22-vjeçarja që prej gushtit të 2022 ishte në spitalin e Traumës në gjendje kritike për jetën, ndërkohë që në janar, Departamenti i Shtetit për Çështjet e Diasporës, njoftoi se vajza do të dërgohej në vendlindje ku do të kurohej pranë të afërmve të saj.

Gjendja shëndetësore është përkeqësuar dhe mëngjesin e sotëm fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Ngjarja e rëndë u shënua më 13 gusht, ku 22-vjeçarja keniane Joy, është dhunuar dhe hedhur nga kati i dytë i banesës ku jetonte me qira në rrugën “Pandeli Evangjeli” në Tiranë.

E reja punonte në një kazino në Tiranë dhe një natë u gjet e hedhur pas pallatit ku banonte, e dhunuar brutalisht me kockat e ijeve dhe tri brinjë të thyera si dhe me trauma në tru. Edhe pse kanë kaluar disa muaj nga ngjarja e rëndë ende nuk është zbardhur se kush janë autorët që dhunuan 22-vjeçaren dhe shkaktuan vdekjen e saj.