Tupja: Gjuha Shqipe po vritet, po zhduken fjalët, shenjat e pikësimit, dëshirorja dhe habitorja

Në “Ora e Betit” në RTV Ora, nga Beti Njuma, profesori Edmond Tupja u shpreh se Gjuha Shqipe po vritet dhe po shkërmoqet. 

Ai theksoi se shumë fjalë përdoren në gjuhë të huaj, ndersa po zhduken fjalët shqipe në vend të tyre.

Tupja: Unë flas shqip dhe komunikoj shumë mirë me bashkëkombësit e bashkëatdhetarët e mi. Ama unë po shoh se shqipja po zhduket. Po vritet alfabeti. Po mbaron. Po shkërmoqet shqipja. Ka dijetarë e historianë shkojnë deri tek origjina pellazgjike. Dakord e dimë nga vijmë, por çështja është se ku po shkojmë. Shikoni se si flitet dhe shkruhet shqipja sot.

Kam bërë anketa. Fjala “kujtesë” u zhduk po shënohet vetëm “memorie”. Fjala “Ngjarje e shënuar” iku thuhet “event” dhe ‘eveniment”. Thonë “startoj” dhe nuk themi “nisi”.

Rreziku është se po hamë kokën tonë. Po ikën baza e gjuhës, domethënë, lidhja, gramatike. Nuk thonë më “Qofshi mirë!” por “të jesh mirë!

Nuk ka më dëshirore dhe habitore. Po ikën habitorja, po ashtu edhe pikësimi. Po ikin edhe shprehjet frazeologjike që janë kripa e një gjuhe.