Rikthehen kamerat e fshehta në ekran, Florian Agalliu tregon për kurthet në emisionin e tij

Imagjinoni sikur keni filluar një punë të re, dhe dita e parë atje ju shkon e gjitha ters. Epo këto do të shihni në emisionin e ri të moderatorit Florian Agalliu, i cili do të transmetohet nga janari në ‘Top Channel’. Në një prononcim për revistën “Who”, moderatori i këtij programi, zbuloi dhe formatin e këtij programi që bazohet në kamerën e fshehtë.

“Programi do të quhet ‘Dita e parë e punës’ dhe është një format i ri televiziv që do të nisë shumë shpejt në ‘Top Channel’. Unë do të jem moderatori i programit, i cili bazohet në kamera të fshehta”, zbulon ai. Sipas Florianit, do të ketë një grup aktorësh që do të jenë të angazhuar dhe do të krijojnë situata komike për të sapo punësuarin.

“Ne ndjekim në ditën e parë të punës një personazh, i cili fillon punë për herë të parë dhe shkon në një kompani të re. Gjithë përballja që duhet të bëjë ai me secilin prej drejtuesve në vendin e punës ku ka aplikuar do të mbulohet nga aktorët tanë që do të përpiqen të krijojnë situata konkrete komike dhe të këndshme për ta kthyer ditën e parë të punës në diçka ndryshe”, ka thënë ai.